E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rooney është më ndryshe

Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka nënvizuar një “dallim të madh” ndërmjet sulmuesit Wayne Rooney dhe treshes aktualisht më të mirë në botë; Cristiano Ronaldo, Lionel Messi e Kaka.

Kohëve të fundit është debatuar shumë se kush mund të jetë futbollisti më në formë në botë i momentit. Ish trajneri i Milanit, i Romës, i Juventus e i Realit të Madridit e ka dhënë mendimin e vet. Ai mendon se 24 vjeçari anglez ka një stil ndryshe të lojës në krahasim me top futbollistët tjerë të botës.

“Messi di të driblojë dhe ka imagjinatë”, ka thënë Capello për ITV.
“Ronaldo është i shpejtë dhe shuton nga një distancë e largët. Këta të dy luajnë anash, kurse Kaka arrin në zonë duke u nisur nga mesfusha”, vazhdoi trajneri italian.

“Stili i lojës së Rooney është më ndryshe, është qendërsulmues. Ai mund të luajë i vetëm në sulm. Ai e mban topin shumë mirë. Ai di të driblojë, mund të gjuajë nga distanca dhe mund të shënojë gola me kokë”, tha Capello, duke e lavdëruar veçanërisht sulmuesin e Manchester United.

Selektori italian nuk ndalet me kaq, duke vlerësuar edhe më tutje përfaqësuesin anglez. “Ka një dallim tjetër ndërmjet këtyre tre futbollistëve dhe Rooneyt. Ai i bën presion kundërshtarit fort. Ai vrapon shumë. Këta të tjerët nuk i bëjnë këto gjëra. Ky është një dallim i madh”, tha në fund Capello, që llogarit shumë në cilësinë e 24 vjeçarit në Botërorin 2010.

Rooney po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme këtë sezon. Deri tash, ai ka realizuar 28 gola në të gjitha garat, 23 prej tyre në Premierligë. Vetë futbollisti anglez javë më parë kishte deklaruar se rol të rëndësishëm në përparimin e tij luan selektori Fabio Capello, duke mos e anashkaluar sigurisht menaxherin e Manchester United, Sir Alex Ferguson, që e kishte transferuar nga Everton në Old Trafford kur ishte shumë i ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›