E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peja përforcohet me Little

Klubi i basketbollit Peja i ka përforcuar radhët e veta me basketbollistin amerikan, Theophiulus (Theo) Little. Verdh e zinjtë, të mërkurën, e kanë paraqitur për regjistrim në FBK qendrën amerikane, i gjatë 208 centimetra, dhe nëse kryhen të gjitha obligimet procedurale të regjistrimit, ai mund të paraqitet për pejanët në ndeshjen e radhës të TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll Bashkimi-Peja, që luhet në fundjavë.
Së fundmi Theo, i lindur në vitin 1984, ka luajtur në kampionatin meksikan, përkatësisht me ekipin Bravos Piedras Negras, me mesatare 15 pikë për ndeshje. Një kohë ai ishte pjesë e ekipit Arkansas St në ligën amerikane NCAA. Theo është basketbollisti i dytë i huaj te Peja, pas Dragan Pushiq.

Thaqi, zyrtarisht në Bashkim

Ndërkohë, klubi i basketbollit Bashkimi e ka zyrtarizuar transferimin e basketbollistit Muhamet Thaqi. Në rast të kompletimit të dokumentacionit dhe pagesës së taksës, edhe ky basketbollist ka të drejtë loje në ndeshjen e javës XXIV të TechnoMarket Superligës Bashkimi–Peja. Thaqi, që llogaritet si lojtar vendor, është basketbollist i njohur për opinionin kosovar, pasi që më parë ishte pjesë e skuadrave të tjera kosovare si Prishtina, Mabetex e Dukagjini (tash Peja).
Pa dyshim, Bashkimi është klubi më i përforcuar i Superligës këtë sezon. Para Thaqit prizrenasit kishin transferuar lojtarin tjetër vendor Enes Haxhibulliq, por edhe basketbollistët e huaj: Bolds, Kadiq dhe Ahmetbashiq.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›