E Shtunë, 31 Tetor 2026

Podgorica vendosi!

Mali i Zi bëhet vendi i 49-të që njeh zyrtarisht Kosovën

Pikërisht në momentet kur Serbia po feston miratimin e rezolutës së saj në OKB, me mendimin se duke e çuar çështjen e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të ngadalësojë njohjet zyrtare, një tjetër vend i shtohet listës së atyre që e kanë njohur zyrtarisht shtetin më të ri të Evropës. Dhe kësaj here njohja është edhe më e rëndësishme, pasi bëhet nga një ish-vend jugosllav, aleat i Serbisë dhe njëkohësisht fqinj ballkanik i Republikës së Kosovës. Vetëm pak minuta pasi ambasadori rus në Beograd, Konuzin, deklaroi për agjencinë “Rojters” se Mali i Zi dhe Maqedonia janë nën presion nga shumë vende për ta njohur Kosovën, Podgorica dha vendimin e saj. Ishte vetë shefi i diplomacisë malazeze, Milan Roçen, i cili njoftoi dje në mbrëmje se vendi i tij votoi në favor të vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën. Vendimi i Malit të Zi ishte i pritshëm, megjithëse republika e vogël ballkanike mbështeti kërkesën e Beogradit për ta çuar para drejtësisë ndërkombëtare legalitetin e pavarësisë së Kosovës. E ndërsa Mali i Zi mori vendimin i pari për ta njohur republikën më të re të Ballkanit, edhe fqinji tjetër, Maqedonia, pritet ta bëjë një gjë të tillë brenda disa orësh, pasi kuvendi në Shkup ka nisur që dje debatet mbi rezolutën për njohjen e Kosovës. Kryetari dhe deputeti i Demokracisë së Re, Imer Selmani, deklaroi se njohja e pavarësisë së Kosovës është një realitet, por që më në fund po pranohet edhe në Maqedoni. “Kosova tashmë është një realitet që është pranuar nga shumë shtete, ndër të cilët edhe ata më të fuqishmit. Njohja e pavarësisë nga Shkupi po vonohet. Besoj se sa më shpejt duhet të votohet kjo rezolutë në këtë Parlament dhe qeveria me një vendim formal duhet të shpallë njohjen e Kosovës”, theksoi Selmani. Sipas tij, rezoluta përveç mbështetjes nga partitë shqiptare të pozitës dhe opozitës, ka gjetur mbështetjen edhe të partive maqedonase. Deputetja e VMRO-DPMNE, Silvana Boneva, deklaroi se partia e tyre do të deklarohet pozitivisht për projektrezolutën për Kosovën. Ajo tha mbështetja e kësaj rezolute bëhet për shkak të tri arsyeve të fuqishme. “Arsyeja e parë është se ne nisemi nga interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe nga interesat e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni. Arsyeja e dytë është se Maqedonia është partner strategjik i SHBA-ve, vendi dhe aleati që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës. SHBA-të janë një partner i fuqishëm i Maqedonisë, por edhe garantues dhe promotori paqes dhe i stabilitetit në rajon. Dhe arsyeja e tretë është, sepse vendimi është marrë duke qenë në përputhje me stabilitetin dhe bashkëpunimin rajon, ku Maqedonia është e interesuar për bashkëpunim me të gjithë shtetet e rajonit dhe në të gjitha sferat, përfshirë Serbinë dhe Kosovën”, deklaroi Boneva. Debati në kuvend vazhdoi gjatë gjithë ditës së djeshme dhe burime zyrtare pohuan për agjencinë e lajmeve INA, se qeveria është e gatshme që në çdo kohë të miratojë vendimin për njohjen e Kosovës. “Në momentin që parlamenti të miratojë projektrezolutën për Kosovën, kabineti qeveritar në çdo moment është gati të miratojë vendimin për njohjen e shtetit fqinj”, deklaroi për INA-n, një zyrtar i lartë i qeverisë, duke thënë se në çdo kohë do të miratohet ky vendim nga qeveria.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›