E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtorët e RTK-së kërkojnë kthimin e Zatriqit

330 punëtorë të RTK-së, respektivisht mbi 70% e të punësuarve në këtë medium, nëpërmjet një peticioni i kanë bërë ftesë publike ish-drejtorit të përgjithshëm i radio-televizionit publik, Agim Zatriqi, të konkurrojë sërish në konkursin e hapur për këtë post.

Në një komunikatë që i është shpërndarë mediave, thuhet se, duke marrë parasysh rrethanat dhe arsyet e dorëheqjes së Zatriqit, dhe duke vlerësuar lartë angazhimin dhe kontributin e tij të pamohueshëm në zhvillimin e suksesshëm të RTK-së si transmetues publik që nga themelimi e deri më tash, ku nën menaxhimin e tij RTK-ja ka arritur shkallën më të lartë të besueshmërisë dhe shikueshmërisë – ata kërkojnë prej tij të marrë pjesë në konkursin e shpallur për drejtor të përgjithshëm të RTK-së.

Siç specifikohet në komunikatë, prapa këtij peticioni qëndrojnë mbi 70% e numrit të përgjithshëm të punëtorëve të RTK-së, përfshirë këtu të gjitha profilet profesionale në RTK si gazetarë dhe redaktorë të të gjitha redaksive në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e komuniteteve tjera të Kosovës, si dhe stafi tjetër realizues i programit të RTK-së së bashku me menaxhmentin aktual.

“Kjo ftesë publike lind si nevojë qenësore që në konkursin e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së të marrin pjesë njerëz të dëshmuar profesionalisht dhe të përkushtuar ndaj mediumit publik. Meqenëse RTK-në e presin sfida dhe punë të shumta në krijimin e një qëndrueshmërie financiare e cila është një parakusht për një zhvillim dhe funksionim të suksesshëm e të pavarur të saj si në tregun medial të Kosovës ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, mendojmë se z. Zatriqi si një menaxher dhe ekspert i dëshmuar në menaxhimin e suksesshëm të RTK-së duhet të jetë pjesëmarrës në këtë konkurs”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu bëhet e ditur se një kopje e këtij peticioni i është dorëzuar Agim Zatriqit, Bordit të RTK-së, Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), si dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Agim Zatriqi kohë më parë kishte dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, ndërsa është spekuluar se në këtë veprim ishte detyruar për shkak të presioneve që kishte pasur nga partia në pushtet, PDK.

Sidoqoftë, RTK për momentin ballafaqohet me status të pasqaruar të financimit – që pritet të definohet nga Kuvendi i Kosovës – për shkak të vendimit që parapagimi nëpërmjet faturave të KEK-ut të ndërpritet dhe vendimit për shkurtimin e reklamave në këtë transmetues publik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›