E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më në fund, karta për studentët e Tiranës

Karta është prezantuar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka nënshkruar një memorandum me 5 rektorët e universiteteve publike të Tiranës.

Përmes këtij memorandumi Bashkia e Tiranës dhe Universitete bashkrendojnë punën për pajisjen e studentëve me Kartën Bashkiake të Studentit duke ngritur grupe të përbashkëta, shkëmbyer informacionin dhe monitoruar procesin Bashkia do të sigurojë kushtet e nevojshme të prodhimit dhe shpërndarjes së Kartës Bashkiake të Studentit. Ndërsa Universitetet do të sigurojnë kushtet e nevojshme teknike për regjistrim të studentëve pranë sekretarive mësimore duke garantuar një proces të rregullt regjistrimi.

Karta e studentit parashikon një sërë lehtësirash në përfitimin e mallrave dhe shërbimeve, nga entet publike dhe private. Synimi është reduktimi i çmimeve, ose marrja e këtyre shërbimeve falas.Karta e Studentit synon përmirësimin e jetës ekonomike të studentëve, uljen e kostos së jetesës dhe formimit akademik, rritjen e aksesit në një kategori shërbimesh me qëllim rritjen e cilësisë së jetës, krijimin e statusit të studentit etj.

“Pas popullimit të kësaj data-base dhe nisjes së shpërndarjes së Kartës së Studentit, pyetja që shtrohet natyrshëm është se cilat do të jenë leverditë praktike të kësaj Karte, dhe në këtë drejtim unë dua t’ju informoj se ne kemi ecur paralel, me negociatat për bashkëpunim me institucione të ndryshme. Parimisht, deri tani është rënë dakord me Ministrinë e Kulturës, Rinisë, dhe Sporteve për hyrjen falas në Muze, në Galerinë Kombëtare të Arteve, në TOB, në stadiumin “Qemal Stafa”, me përjashtim të ndeshjeve kombëtare ku do të vazhdojnë negociatat me Federatën, me Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, me Postën Shqiptare, për tarifa zero dhe të reduktuara, për të gjithë shërbimet që ofron, me Shoqatën e Bankave dhe  Bankën e Shqipërisë, për tarifa të reduktuara për shërbimet, lehtësira për marrje kredie për studimet”, sqaroi Basha.

 “Në emër të kolegëve, studentëve të Universiteteve Publike në Tiranë, që janë rreth 60 mijë studentë, ndihem i kënaqur që në kuadrin e angazhimit, seriozitetit dhe premtimit që në periudhën parazgjedhore, Kryetari i Bashkisë bëri për strukturat studentore, e filloi pikërisht me ta, me studentët dhe ju falënderoj në emër të tyre”, tha nga ana e tij, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Siç bëri me dije Basha, modeli i kartës është gati dhe pritet printimi i tyre dhe më pas shpërndarja. /Start/

                                                                                             2011-11-04 13:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›