Më në fund në Kep të Rodonit, atje ku vuri kurorë edhe Skënderbeu
Durrës- Ndërtim i një rruge ka bërë që të shfrytëzohet për turizëm edhe një nga zonat më të bukur të bregdetit të Durrësit, sic është Kepi i Rodonit.
Vetëm pak kilometra nga plazhi i Shënpjetrit, në pjesën veriore të Gjirit të Lalësit, tashmë mund të vizitohet qoftë për plazh apo edhe për të shijuar peisazhin madhështor bregdetar dhe natyror të Kepit të Rodonit.
Ky skaj i bregdetit njihet pak për shkak të infrastruktures rrugore të munguar. Ai mund të vizitohej vetëm me këmbë, ose me mjete të medha duke mos qenë fare praktike për masën e gjerë të njerëzve.
Plazhet e virgjëra, natyra e paprekur dhe mbi të gjitha pasuritë kulturore që bart kjo zonë, janë një resurs i madh që tashmë është futur në hartën turistike të vendit. Në këtë zonë ndodhet kalaja e Skënderbut, ku mendohet se heroi ynë kombëtar ka vënë kurorën e martesës si dhe kishën e Shën Ndoit, e cila është më e lashtë se ajo e Laçit.
Kjo zonë mund të shfrytezohet për plazh familjar ditor, pasi nuk ka lokale dhe restorante për shkak të mungesës së rrugës dhe duket se mungesa e rrugës ka qenë edhe arsyeja kryesore që i ka ruajtuar dhe konservuar bukuritë e kasaj zone.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit investoi 280 milion lekë për ndërtimin e kësaj rruge e cila bashkë me turizmin rrezikon të sjellë edhe degradimin e zonës për shkak të sjelljes barbare të njeriut, të cilën ne e kemi deshmuar në të gjitha zonat. Do të ishte detyrë e komunës që tashmë të ndërtonte infrastrukturën e nevojshme higjenike për këtë zonë dhe mbi të gjitha ta ruajë nga ndërtimet, të cilat nuk vonojnë të mbijnë kudo ku shkel goma e makinës.
[Gallery not found]/IDEA/