"Me ne, katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e Shqipërisë moderne"

Kryetarja e Kuvendit takohet me gra të Minibashkisë 8 në Tiranë
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në vijim të turit “Gratë për fitoren” zhvilloj një takim entuziast me gratë, zonjat, nënat, dhe të rejat e Minibashkisë numër 8, një nga vatrat e identitetit të Kryeqytetit.
Kryetarja e Kuvendit gjatë bisedave të zhvilluara me gratë tiranase, mori nga këto të fundit mbështetjen për vazhdimin e projekteve të mëdha, për vazhdimin e reformave në një Shqipëri që po ndryshon.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se “gjatë katër viteve të qeverisjes së mazhorancës së djathtë, janë realizuar reforma të jashtëzakonshme në një kohë rekord. Ka qenë një periudhë e e sfidave të mëdha, ka qenë një periudhë e fitimit të garave të forta, ka qenë periudhë e ndryshimit të realitet dhe imazhit të Shqipërisë”, tha Topalli.
Duke folur për arritjet e mëdha të qeverisë ndër këto 4 vjet, Topalli tha se “Askush nuk ka mundur të realizojë aq shumë sa kemi realizuar ne gjatë kësaj periudhe.
Hyrja në NATO. Dorëzimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat. Rritje ekonomike, rritja e buxhetit, rritja e të ardhurave, rritja e turizmit. Shqipëria moderne në infrastrukturë, në energji elektrike, me ujë 24 orë në ditë.
Shqipëria që shihet me dinjitet. Shqipëria që ka ndryshuar imazh, që shpreson. Shqipëria elektronike, e google-it, e internetit. Ishte një kohë shumë e shkurtër për të bërë gjëra kaq të mëdha”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
Topalli garantoi se “Mandati i ardhshëm do të jetë vazhdimi i reformave të jashtëzakonshme në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Do të jetë vazhdimi i projektit të madh të Shqipërisë moderne”.
Duke folur për thellimin e fitores të së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit, Topalli ftoi gratë që të votojnë për të vijuar edhe më tej rrugën e ndryshimit të madh, rrugën e reformave.
“Hajde të votoni! Hajde të votoni për të hequr vizat! Hajde të votoni për të rritur rrogat! Hajde të votoni për ta bërë më të bukur këtë vend! Për ta bërë Shqipërinë edhe më të re, edhe më moderne, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.