Shqipëria ngjit 9 shkallë, renditet e 66-ta, ndër 194 vendet e botës, për cilësinë e jetesës

Qeveria shqiptare përshëndet çdo vlerësim objektiv ndaj reformave të ndërmarra gjatë këtyre viteve
TIRANE - Shqipëria ka regjistruar tjetër arritje pozitive në cilësinë e jetës, ndërsa sipas treguesve të publikuar në revistën ekonomike “Cilësia e Jetës”, ajo ka rritur 9 shkallë, krahasuar me vitin 2008, duke u renditur e 66-ta, ndër 194 vende të botës. Në këtë krahasim të “Interantional Living” dhe të publikuara në revistën “Cilësia e Jetës”, janë marrë në konsideratë të gjithë faktorët që ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës si kostoja e jetesës, taksat, mjedisi, shëndeti, infrastruktura, kultura e argëtimit, klima e përshtatshme për fillimin dhe mbarëvajtjen e një biznesi, siguria etj.
Këta tregues të prezantuar në revistën “Cilësia e Jetës” u vlerësuan dje nga Zëdhënësja e Qeverisë dhe Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.
Duke dalë para gazetarëve, zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu tha dje se “Shqipëria renditet vendi i 66-të , ndër 194 vendet e botës, për cilësinë e jetesës”.
Bregu, në të njëjtën kohë dhe Ministre e Integrimit tha se “Krahasuar me 2008-ën, kur listohej në vendin e 75-të , sot Shqipëria ngjitet 9 vende më lart”.
Zëdhënësja Bregu i është referuar revistës ekonomike “Cilësia e Jetës”, e cila e ka renditur Shqipërinë vendin e 66 ndër 194 vende, të cilat janë marrë si referencë.
Bregu tha se “Indeksi i cilësisë së jetesës, botuar në revistën ekonomike “Cilësia e Jetës” që përfshin të gjithë faktorët që ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës në vend, siç janë, kostoja e jetesës, taksat, mjedisi, shëndeti, infrastruktura, kultura e argëtimit, klima e përshtatshme për fillimin dhe mbarëvajtjen e një biznesi, siguria etj, konfirmon edhe një herë një rezultat që ndryshon pozitivisht nga viti në vit, i bazuar në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare”.
Zëdhënësja e qeverisë shtoi se “Në këtë vlerësim Shqipëria lë pas vende në rajon si Maqedonia, që mban dhe statusin e vendit kandidat për në BE, Serbia, Bosnja Hercegovina”.
Zëdhënësja e Qeverisë, renditi një sërë vlerësimesh pozitive që jënë bërë së fundmi nga disa institucione ndërkombëtare.
“‘Transparency International’, ‘Doing Business’, ‘Global Insight’, ‘The Economist’, PNUD, ‘Banka Botërore’ si dhe periodikë të ndryshëm si ‘Financial Times’, ‘Forbes’, ‘Wall Street Journal’, agjencia ‘Reuters’, e mjaft të tjerë, janë dëshmitë reale të trendit të ndryshimit të këtij vendi”, tha Zëdhënësja e Qeverisë.
Zëdhënësja Bregu renditi një sërë faktorësh të cilët kanë bërë të mundur këtë rritje “Që nga lufta kundër korrupsionit, klima e biznesit, lufta kundër varfërisë, reforma fiskale të cilat së bashku kanë si qëllim të vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës”.
Zëdhënësja Bregu u shpreh se “Qeveria shqiptare përshëndet çdo vlerësim objektiv ndaj reformave të ndërmarra gjatë këtyre viteve, të prekshëm së brendshmi, e të konfirmuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë, e sigurt se tendenca për të nxirë dhe mohuar zhvillimin e vendit i përket vetëm vetmitarëve të vjetër të politikës së re”, duke nënkuptuar këtu opozitën.