E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më pak akull, më pak oksigjen

Një shtresë e akullit, e madhësisë së Luksemburgut, ka goditur akullnajën Merc në afërsi të bregut të Antarktikut dhe ka shkëputur edhe një tjetër bllok të madh akulli, kanë thënë të premten shkencëtarët, sipas të cilëve një gjë e tillë mund të zvogëlojë koncentrimin e oksigjenit në oqeanet botërore.

Përplasja ka ndodhur më 12 ose 13 shkurt, dhe tash dy shtresa të akullit notojnë rreth 100 deri 150 kilometra larg bregut të Antarktikut, ka thënë glaciologu australian Nil Jang, sipas të cilit të dyja shtresat notojnë pranë njëra-tjetrës dhe peshojnë 860 dhe 700 miliardë tonë.

Ekspertët janë të shqetësuar për shkak të mundësisë së efektit të mungesës së sasisë së akullit në ujë, e cila është e rëndësishme për rrymat detare dhe furnizimin e oqeanit me oksigjen.

Uji në këtë rajon nuk ka rrjedhë duke iu falënderuar akullnajës, por pasi që një pjesë e saj është shembur, akulli mund të mbulojë sipërfaqen dhe të pamundësojë që uji i ftohtë të bie në fund, ka thënë eksperti për klimë Stiv Rintul.

Ai ka shpjeguar se ky ujë i pasuron rrymat e oqeanit me oksigjen. Në botë ekzistojnë vetëm disa vende në të cilat ndodhë një gjë e tillë dhe ngadalësimi i këtij procesi do të thotë më pak oksigjen për rrymat e thella, të cilat ushqejnë oqeanin.

“Disa pjesë të oqeanit mund të mbeten pa oksigjen, që mund të çojë deri te vdekja e shumicës së botës që ndodhet aty”, ka thënë oqeanografi i kimisë Mario Hopema për Institutin amerikan për hulumtime detare dhe polare Alfred Vegener.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›