Më pak miqësore në të ardhmen

Nënkryetari i FIFA-s, Jim Boyce, ka pranuar se disa data të miqësoreve ndërkombëtare do të anulohen. Megjithatë, ai insiston se kërkesat e klubeve evropiane për vetëm gjashtë data ndërkombëtare në vit janë të papranueshme.
Asociacioni i Klubeve Evropiane kërkon grupe më të vogla kualifikuese ose anulimin e disa datave ndërkombëtare për të pasur më pak raste kur humbin futbollistë, të cilët u bashkohen ekipeve të tyre kombëtare.
Boyce tha se bisedimet do të mbahen më vonë këtë muaj mes krerëve të asociacioneve evropiane dhe se disa data si miqësoret e gushtit mund të hiqen nga orari.
“Futbolli ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm për shtete si dhe është i rëndësishëm për tifozët që kanë mundësi të shohin duke luajtur ekipet e tyre kombëtare”, tha Boyce për Press Association Sport.
“Së fundmi ka pasur shumë miqësore të pakuptimta, të luajtura gjatë periudhave të caktuara të vitit kur futbollistët nuk do të donin të luanin dhe klubet nuk duan t’i lirojnë futbollistët e tyre. I kuptoj klubet dhe mënyrën si ndihen, por është shumë e rëndësishme që të arrihet një kompromis që kënaq ato, po edhe ruan rëndësinë e ndeshjeve ndërkombëtare" shtoi ai.
"Sigurisht, disa data të miqësoreve duhet të hiqen, por edhe klubet duhet të kuptojnë se për shumë asociacione ndeshjet ndërkombëtare janë themelore sa i përket të ardhurave të tyre”, përfundoi Boyce.