E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Pashkët pagëzohet në burg ish-mafiozi shqiptar, letër botës

25/04/2011  Letra e plotë e Beldar Dinjës, i dënuar përjetë për vrasje. “Tani njoh Jezusin”

ITALI- Nga brenda hekurave të ftohtë, ku do japë dhe frymën e fundit, aty në burgun e Përtej Adriatikut, shqiptari 37-vjeçar, ish-bos i mafias së prostitucionit, habit komunitetin katolik me një letër prekëse. Në ditët e shenjta të Pashkëve, me besim të fortë në ringjalljen e Jezu Krishtit, i dënuari përjetë për vrasje, Bledar Dinja, ka vendosur tu bashkohet radhëve të besimtarëve, duke u pagëzuar me emrin Xhovani (Gjoni) dhe përmes një letre lëshon një apel rrëqethës, tepër domethënës dhe kaq të ndjeshëm.

Gazeta “Metropol” publikon të plotë lutjen

Letra e Bledar Dinjës (Xhovani)

Në rilindjen time, pas vuajtjeve, që vetëm tani i kuptoj, unë jam plot emocione të mëdha që më shpërthejnë zemrën. Dhimbjet s’kanë fund, por kjo nuk më bën të ndjehem në burg. Isha në burg kur mendoja se isha i lirë. Sot, falë Zotit të Mirë, që më bëri të takoja miq të vërtetë, unë e falënderoj Atë që më dhuroi rilindjen dhe sot të pagëzohem nga Don Lucio. I them këto fjalë, sepse shoh me sytë e mi bukurinë e të gjithë ju, vëllezër që më rrethoni me të mirat që kam nevojë. Rosi, fëmijët e tij, shokët e Padovës, por mbi të gjitha vëllezërit e mi (të dënuarit e tjerë italianë, me burgim të përjetshëm) më mbështetën në një ditë kaq të bukur që nuk mund ta imagjinoja më parë. T’i ndaj këto emocione me ju, më bën që zemra të shpërthejë nga gëzimi, më bën të ndjej përqafimin e Jezusit, ai përqafim që Franco (i burgosur italian) më thoshte gjithmonë, por unë si kuptoja ato fjalë, të cilat sot i kuptoj fare mirë. Duke ditur se në anën tjetër të botës është dikush që e do Jezusin siç e dua unë më gëzon pa masë. Dita e 16 gushtit më bëri të kuptoj se pa dashurinë e Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, ne jemi vetëm hije në errësirë. Kaluam një gjysmë dite me Rosin dhe djemtë e tij, biseduam për veten tonë, njëri-tjetrin, por mbi të gjitha për Zotin që na do vërtet si fëmijët e tij, para momenteve të forta që pak kisha përjetuar më parë. E para, sepse isha i vogël e më pas për shkak se kishte trazira civile në vendin tim. Më vonë u bëra i shëmtuar dhe nuk shihja që ndonjë gjë më shkonte mirë. Tani e kuptoj se jeta ime që unë mendoja se ishte e bukur, ishte vetëm jeta që djalli donte për mua. Zoti më shpëtoi nga duart e djallit dhe kjo është arsyeja pse jam ende gjallë dhe i lumtur në burg. Në burg, nuk mund të thuhet se është mirë, por edhe jashtë nuk mund të isha mirë, nëse s’ndihesha rehat me veten time. Në burg mësova një zanat, kam mësuar të bëj pica, ëmbëlsira dhe të punoj, ndërsa më parë nuk kisha punuar kurrë. Sot mund të them se me pak mund të jetohet mirë. Zoti gjithmonë më jep gjithçka që më duhet për të jetuar mirë, në qoftë se unë e dëgjoj dhe udhëhiqem nga Ai, nuk do gaboj më si më parë dhe do përpiqem ti shmang mëkatet”.

Dinja, bos i mafies së prostitucionit

Bledar Dinja, ishte dënuar në Shqipëri me 25 vjet burg për vrasje dhe me burgim të përjetshëm në Itali, për të njëjtën akuzë. Ai ishte i njohur si një nga bosët e mafias shqiptare në kontrollin e prostitucionit. Në Shqipëri ai ishte arrestuar në vitin 1996 për akuzën e vrasjes për të cilën ishte dënuar 25 vjet burg. Një vit më pas, 1997, me hapjen e burgjeve i riu arratiset nga qelia dhe mbërrin klandestin në Itali, ku vazhdoi të kontrollonte trafikun e prostitucionit. Më 19 gusht 2001 Bledar Dinja vret me pistoletë të kalibrit 7,65 mm një bashkatdhetar të tij në një fast-food në Verona. Gjykata përtej Adriatikut e dënon me burgim të përjetshëm. Sipas policisë, motivi i vrasjes kishte ndodhur mes grupeve rivale që mbanin në kontroll trafikun e prostitucionit. Disa orë pas ngjarjes Bledar Dinja arrin të largohet nga Italia, duke gjetur strehim në Evropën Veriore. U arrestua në Belgjikë në vitin 2003.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›