Volfart: PD të zgjedhë kandidatin e duhur për president
Ndërsa gjithë komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për gjetjen e një presidenti konsensual, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, ka bërë një deklaratë të papritur, duke thënë se presidenti i përket mazhorancës. Sipas tij, tashmë PD duhet të zgjedhë kandidatin e duhur për president.
Kushtetuta e lejon që mazhoranca të zgjedhë presidentin, por duhet të përdoret mirë koha që ka mbetur për të zgjedhur një kandidat apo kandidate të denjë për këtë post, tha Volfart.
Në lidhje reformën zgjedhore, Volfart tha se dy partitë kryesore duhet të përfundojnë hartimin e draftit brenda muajit prill.
Dhe pak kohë ka mbetur. Kjo çështje duhet të zgjidhet deri në fund të prillit. Të krijohet klima e nevojshme në komisionin e ligjeve që të bëhet më e mira në këtë drejtim, është shprehur ambasadori.