E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me rëndësi gjetja e të zhdukurve në komunizëm

Bomberger e njohu Kryeministrin me aktivitetin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, si dhe i ofroi asistencë qeverisë shqiptare për trajnimin e ekspertëve shqiptarë për gjetjen  e personave të zhdukur, identifikimin e tyre nëpërmjet teknikave moderne, si dhe krijimin e një baze të dhënash për këta persona dhe familjarët e tyre.

 Ajo vuri në pah se gjatë 15 viteve që ekziston, ky Komision ka krijuar një eksperiencë dhe ekspertizë unike në shkallë botërore në gjetjen e personave të zhdukur dhe identifikimin e tyre. Zonja Bomberger e vlerësoi vullnetin politik të treguar nga qeveria shqiptare në gjetjen dhe identifikimin e viktimave të zhdukura gjatë diktaturës komuniste dhe theksoi se ky vullnet politik dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke përfshirë ngritjen e një Task force të posaçme, e vënë Shqipërinë së bashku me një grup të vogël vendesh në krye të përpjekjeve për trajtimin dhe zgjidhjen e një çështjeje kaq delikate, siç është gjetja dhe identifikimi i personave të zhdukur gjatë regjimeve diktatoriale.
 
Kryeministri Berisha theksoi se gjetja dhe identifikimi i viktimave të diktaturës komuniste është një çështje moralisht sensitive dhe me rëndësi të madhe, në trajtimin dhe zbardhjen e krimeve gjatë asaj periudhe. Kryeministri nënvizoi se ky proces ka rëndësi si për familjarët e viktimave, por ka rëndësi domethënëse morale dhe politike për të gjithë shoqërinë shqiptare, në përballjen e saj me krimet dhe tmerret e diktaturës komuniste.

Pasi e njohu znj. Bomberger me faktin se janë mbi 6 mijë personat e zhdukur gjatë kësaj diktature, të shpërndarë në të gjithë territorin e vendit dhe duke konsideruar vështirësitë e hasura në mbledhjen e informacionit, Kryeministri u shpreh se ky është një proces afatgjatë, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha e mirëpriti asistencën teknike të ofruar nga KNPZH, si një ndihmë e çmuar në përmbushjen e këtij detyrimi moral dhe shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi.
 
KNPZH  është themeluar me iniciativën e Presidentit Klinton në vitin 1996, në samitin e G-7, për të gjetur dhe identifikuar viktimat e masakrës së Srebrenicës. Ky Komision ofron asistencë jo vetëm qeverive të vendeve të ish – Jugosllavisë, por tashmë këtë asistencë e ofron për të gjitha shtetet, të cilat kërkojnë të identifikojnë viktimat e zhdukura gjatë regjimeve diktatoriale, krimeve të luftës apo dhe nga fatkeqësitë natyrore. /Start/

                                                                                             2011-07-28 14:36
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›