E Hënë, 2 Nëntor 2026

Më rreh burri por kam frik ta denoncoj

08/02/2005  Vëllai kallzon zhdukjen e motrës Hajrie Gjocaj kthehet pas 7 ditësh

Vëllai denoncon largimin e motrës nga shtëpia. Mirash Mulaj nga Lapraka ka kërkuar ndihmën e policisë kriminale të Komisariatit nr.3 për të gjetur Hajrie Gjocajn. 35-vjeçarja e martuar në Tropojë, nuk bëhej e gjallë prej 6 ditësh. I shoqi, Avniu, nuk kishte lajmëruar komisariatin e vendlindjes për humbjen e bashkëshortes.

Denoncimi

"Ime motër është larguar nga shtëpia pa lënë asnjë adresë. Quhet Hajrie Gjocaj dhe është e martuar në Tropojë. Kam disa ditë radhazi që i telefonoj, por i shoqi, Avnia, më thotë që ajo ka ikur pa lënë gjurmë", ka nisur denoncimin e tij në Komisariatin nr.3, Mirash Mulaj. 56-vjeçari i lindur në Laprakë dhe banues në Tropojë, mësohet se ishte mjaft i shqetësuar për atë që kish ngjarë. Duke qenë se Mulaj nuk mund të udhëtonte drejt Tropojës për të denoncuar për motrën, zgjodhi si të vetmen rrugëzgjidhje policinë kryeqytetase. Burime nga Komisariati nr.3, shprehen se i moshuari ka rrëfyer se marrëdhëniet mes çiftit Gjocaj ishin të këqija. E megjithatë, motra e tij nuk ishte larguar asnjëherë nga shtëpia, pasi nuk mund të linte askënd të kujdesej për fëmijët e vegjël. Pa e bërë të gjatë, autoritet policore të Tiranës komunikuan me homologët në Bajram Curri, duke bashkëpunuar për gjetjen e 35-vjeçares. Mirash Mulaj dha të gjitha adresat e mundshme ku mund të ishte strehuar motra gjatë këtyre ditëve.

Rikthimi

Mëngjesin e djeshëm, uniformat e komisariatit të Tropojës kanë bërë të mundur gjetjen e gruas së humbur pak ditë më parë. Burime zyrtare nga kjo strukturë e rendit shprehen se, Hajrie Gjocaj kishte dëshmuar për blutë se qe larguar nga shtëpia për t'i shpëtuar dhunës së të shoqit. "Burri im, Avnia, më rreh përditë pa asnjë shkak. Megjithëse jam nëna e fëmijëve të tij, ai nuk ma kursen drurin. Nuk munda ta duroja dot më, ndaj ika nga shtëpia", u ka rrëfyer gruaja e zhdukur oficerëve të antikrimit të Tropojës. Efektivat blu i kishin sugjeruar Hajrie Gjocajt që të depozitonte një kallëzim në ngarkim të të shoqit. Por, 35-vjeçarja ishte shumë e trembur dhe kish refuzuar. Sipas saj, nuk dinte ende nëse burri do t'ia falte arratinë 1-javore. E aq më tepër ta denonconte në komisariat. Gjocaj ka shtuar se e rëndësishme për të ishte lumturia e fëmijëve, të cilët nuk duhet të mbeteshin pa nënë. Të njëjtat burime saktësojnë se viktima e dhunës së bashkëshortit kishte pohuar se, më mirë pranonte të hante dru, se sa t'i mbeteshin fëmijët jetimë me prindër të gjallë. Ditët e largimit nga shtëpia kishin qenë për të mjaft të rënda, pasi nuk kishte patur asnjë kontakt me vocërrakët e saj. Pas dëshmive në polici, Hajrie Gjocaj ishte lënë e lirë për t'u rikthyer në vatrën familjare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›