Më shumë buxhete për të dhunuarit në familje
Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, priti dje një delegacion të OKB-së, të kryesuar nga Philip Alston, raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut. Qëllimi i takimit ishte informimi i raportuesit rreth iniciativave ligjore që janë ndërmarrë vitet e fundit nga qeveria shqiptare në fushën e të drejtave të njeriut dhe efektivitetit në zbatimin e tyre, veçanërisht për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Ksera e informoi Alston rreth ndryshimeve ligjore që parashikojnë rritjen e mbështetjes për viktimat dhe politikave që zbatohen për mbështetjen e tyre, me qëllim integrimin në jetën social-ekonomike të vendit, nëpërmjet programeve për formim profesional dhe nxitje punësimi. Raportuesi i OKB-së vuri në dukje se qeveria shqiptare duhet t’i mbështesë politikat me buxhetin e nevojshëm për realizimin e objektivave ambiciozë, pasi, sipas tij, “në vendet e zhvilluara konstatohet se ekziston një hendek mes qëllimeve të vendosura në legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe buxheteve të akorduara për realizimin e tyre”. Ministri Ksera siguroi se qeveria është e angazhuar që planet e veprimit të parashikuara në dokumentet politike për mbështetjen e grupeve në nevojë t’i mbështesë me buxhetet e nevojshme, duke aktivizuar të gjitha burimet, si fondet e donatorëve ashtu edhe ato të buxhetit të shtetit.
#