Më shumë kohë për të kontrolluar financat e partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të shtyjë me dhjetë ditë afatin e dorëzimit të raporteve të ekspertëve kontabël, të cilët do të kontrollojnë financat e partive politike. Me konsensus të plotë, shtatë anëtarët vendosën që tu japin më shumë kohë ekspertëve kontabël që të kontrollojnë financat e partive politike për zgjedhjet e kaluara elektorale. Shtyrja erdhi me kërkesë të vetë audituesve, të cilët deklaruan se nuk i kanë përfudnuar ende kontrollet.
Kërkojmë nga ana e juaj që brenda hapësirës ligjore të na jepni edhe pak kohë për përfundimin e raportit të auditimit të subjekteve zgjedhore, që morën pjesë në zgjedhjet vendore 2011. Kërkesën e bëjmë për arsye se kemi pasur mjaft vështirësi për të gjetur ato subjekte që kanë kandiduar si kandidatë të pavarur, si dhe një parti meqenëse nuk kishin deklaruar një numër kontakti dhe në momentin që ne kemi shkuar në zonën ku ato kanë kandiduar nuk kanë qenë prezent.
Sipas bisedave telefonike kemi disa persona që na kanë lënë takim për javën e ardhshme,- thuhet në kërkesën drejtuar KQZ-së. Sipas audituesve, ka pasur raste kur krerët e partive politike apo kandidatët majit nuk kanë qenë në Shqipëri për të vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e auditimit.
Një nga propozimet e KQZ-së për reformën zgjedhore ka të bëjë pikërisht me kontrollin e fondeve të partive politike në fushata. Sipas draftit të këtij institucioni, partitë do të jenë të detyruara që të dorëzojnë informacion në KQZ, në lidhje me dhurimet si dhe shpenzimet e fushatës menjëherë me mbylljen e fushatës zgjedhore.