E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Nuk ndryshojmë sistemin dhe kushtetutën

Astrit Patozi

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka pranuar dje ekzistencën e një ngërçi ne marrëveshjen mes PD e PS dhe për këtë ka akuzuar opozitën. Patozi ka akuzuar dje kryesocialistin Rama se ndërron mendje shumë shpesh dhe kjo është arsyeja përse po vonohet reforma zgjedhore. Por nga ana tjetër ai mbylli përfundimisht derën mundësisë për ndryshime kushtetuese ose për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Madje edhe për korrektimin kombëtar, Patozi u shpreh se ka shumë pak mundësi që të ndodhë.

Zoti Patozi, çfarë ka ndodhur me marrëveshjen mes PD e PS?
Mazhoranca ka kërkuar që dakortësia e nëntorit të vijojë edhe në pranverë. Ne kemi rënë që të miratojmë ligjet me 3/5 deri në fund të kësaj pranvere. Thjesht dhe vetëm kaq.

Ju si e lexoni deklaratën e Ramës, marrëveshja vijon të funksionojë?
Deklarata e sotme e zotit Rama kam përshtypjen se ishte një hap mbrapa asaj që ndodhi dje në Konferencën e Kryetarëve. Por, në njëfarë mënyre është një ngërç. Është një ngërç dhe një paralajmërim i një klime jo konforme.

Për sa i përket reformave parlamentare dhe asaj zgjedhore, pasi kanë një afat…..
Zoti Rama është i paparashikueshëm. Ai sot tha që ne nuk e kemi bërë marrëveshjen për mazhorancën dhe me mazhorancës, por e kemi bërë me qytetarët konform ndërkombëtarëve. Ndërkohë i ashtuquajturi faktor ndërkombëtar nuk ia kërkon që të ketë marrëveshje me të. Faktori ndërkombëtar i kërkon zotit Rama që të zbatojë marrëveshjen me mazhorancën porsa i përket reformës. Ne nuk kemi kërkuar që zoti Rama të ngutet në ligjet e integrimit për shkakun tonë apo për ligjin tonë .

Po nëse Zoti Rama do të kërkojë kohë?
Zoti Rama mund të ketë kompleksin e bashkëpunimit, ne nuk kemi kompleksin e bashkëpunimit. E bëjmë për interesat e qytetarëve përfshi edhe mbështetësit e opozitës.

Ligjet janë për të gjithë…
Po sigurisht. Në rast se Rama ka komplekse është çështje e tij. Ne duam që axhenda e integrimit të vijojë

Është edhe reforma parlamentare…
Sigurisht që ka sentimente të tjera. Opozita mund të jetë më e ndjeshme për rregulloren, ndoshta edhe për reformën zgjedhore. Sot zoti Rama pyeti se përse nuk ka përfunduar reforma zgjedhore. Pra zoti Rama ka përfaqësinë e vet dhe ne jemi bashkëpronarë në njëfarë mënyrë. Është si ti kërkojmë ne pse se bëre reformën gjatë kohës që ishte me pushime jashtë shtetit

Ju po i përgatisni ofertën tuaj?
Ne kemi ngritur një komision të posaçëm, i cili ka tagrin që pas Kuvendit që kjo reformë të mbyllet sa më shpejt. Ne nuk mund të presim që reforma zgjedhore të mbyllet në një kohë kaq të shkurtër.

Jo reforma parlamentare, ajo zgjedhore në mars?
Edhe ajo kërkon kohën e vet edhe pse unë kam përshtypjen se është edhe një lloj ekzagjerim që i bëhet revizionimit apo racionalizimit të rregullores së Parlamentit e cila në fund të fundit është shumë demokratike. Nuk krijon probleme.

Ku ka ngelur?
Ne jemi duke pritur sugjerimet e opozitës edhe për reformën parlamentare. Por edhe për reformën zgjedhore. Unë sdi të ketë ndodhur ndonjë refuzim të ndonjë propozim të rëndësishëm të palës së opozitës që është refuzuar nga PD.

Si e lexoni fleksibilitetin e Ramës për të pranuar propozimet e partive të vogla?
E lexoj si një truk të PS. Fleksibiliteti i Edi Ramës për të pranuar korrektimin kombëtar është një truk për aleatët e tij. Rama është njeriu që ka vendosur për sistemin që kemi. Të gjithë problemet që ngrenë aleatët e Ramës janë me dijeninë e tij. Ne jemi të hapur, por jo për të ndryshuar sistemin.

Po për korrektimin kombëtar?
Për korrektimin kombëtar, mund të them që jemi të hapur për propozimet dhe përmirësimet që vijnë në përputhje me ato që thonë ndërkombëtarët. Sistemi është një çështje e mbyllur, nuk preket më.

Pra ju jeni të hapur për korrektimin kombëtar?
Nuk jemi të hapur për korrektimin kombëtar. Por jemi të hapur për rekomandimet e ndërkombëtarëve. Edhe për çështjen e administrimit të zgjedhjeve, ne kemi qëndrimet tona, që do i shprehim më vonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›