E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensioni i invalidëve, nga sot merren në bashki apo komuna

Duke nisur nga dita e sotme, pensionet e invalidëve do të merren pranë zyrave të qeverisjes vendore. 

FABIOLA ÇELA

Në një deklaratë për mediat, drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi, ka thënë se sot hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, që ka të bëjë me “Statusin e invalidit”. Sipas këtij vendimi, masat e përfitimit të invalidëve që invaliditetin e kanë nga aksidenti në punë apo sëmundje profesionale, shtesën që e përfitojnë nga statusi, të cilën deri më tani e tërhiqnin pranë qendrave paguese të pensioneve, që nga nesër do ta tërheqin në bashki apo komuna, ku kanë vendbanimin e tyre. “ISSH-ja ka dërguar pranë pushtetit lokal në të gjithë vendin të gjitha listat emërore të përfituesve të këtij vendimi pranë organeve të qeverisjes vendore. Ndërkohë, personat që nuk e kanë tërhequr këtë shtesë deri më 30 qershor 2008, mund ta marrin atë në qendrat paguese ku tërheqin pensionin”, ka thënë Koldashi. Ndërkohë, ISSH-ja ka përfunduar llogaritjet lidhur me rritjet e pensioneve në masën 10 për qind për pensionet e qytetit, 15 për qind për pensionet e fshatit dhe 5 për qind të gjitha pensionet suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të trajtimeve të veçanta financiare. Efektet financiare të rritjes fillojnë që sot. Nga këto vendime përfitojnë 528 mijë pensionistë në të gjithë vendin, nga të cilat 368.700 janë pensione qyteti dhe 158.726 pensione fshati, me një përfitim mesatar për 834 lekë në muaj dhe me një efekt financiar rreth 2.8 miliardë lekë deri në fund të vitit 2008. Duke filluar që sot, në sportelet e Postës Shqiptare ku ndahen pensionet, pensionistët do të mund të marrin pensionet e tyre me rritjen që prej ditës së nesërme, 1 korrik 2008, datë nga e cila shtrin efektet rritja. “Vlen të theksojmë se pas këtyre rritjeve, të ardhurat mujore për pensionet e plota minimale të pleqërisë në fshat do të arrijnë në masën 6090 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat për pensionet e plota minimale të pleqërisë në qytet do të jenë 11.275 lekë në muaj”, ka deklaruar drejtoresha e ISSH-së, Koldashi.

Rritja

a) Të ardhurat minimale nga një pension i plotë pleqërie në qytet, pas 1 korrikut 2008 nuk do të jetë më i vogël se 11.275 lekë në muaj

b) Të ardhurat minimale nga një pension i plotë pleqërie në fshat, pas 1 korrikut 2008 nuk do të jetë më i vogël se 6090 lekë në muaj

c) Të ardhurat nga një pension maksimal pleqërie në qytet nuk do të jetë më i vogël se 19.530 lekë në muaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›