Vrasin dy vëllezër për një copë tokë, gjykohen te Krimet e Rënda
09/11/2004 TIRANË – Kujtim dhe Petrit Gjeta janë dy vëllezër, që gjashtë vjet më parë zbritën nga fshatrat e Kukësit, për të filluar një jetë tjetër në Bathore të Tiranës. Bashkë me dy vëllezërit Gjeta, akuzohet për vrasje të cilësuar edhe shtetasi Bashkim Ferhati. Tre të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë për qëllime pronësie në datën 16 prill 2004, vëllezërit Ferit dhe Sefedin Puci, dhe këto nga i njëjti fshat në Kukës. Sipas akuzës, të pandehurit kanë ndërtuar një lokal në Bathore. Ngjitur me lokalin e tyre, edhe viktimat kishin ndërtuar një lokal. Por sherri ka filluar pikërisht për tokën ndarëse midis dy lokaleve. Dy familjet, ajo Gjetaj dhe Puci, kanë patur kontradikta të shumta. I pandehuri Kujtim Gjeta, sapo ishte kthyer nga Anglia për të përcjellë në banesën e fundit babain e tij. Një ditë para se të largohej, pra në 16 prill, ai del nga shtëpia dhe midis dy lokaleve sheh disa arka. Akuza tha se i pandehuri Kujtim Gjeta i ka marrë arkat dhe i ka hedhur brenda oborrit të lokalit të familjes Puci. Duke parë skenën, viktima Ferit Puci, futet në lokalin e Kujtim Gjetës dhe kërkon shpjegim. Por ky i fundit e godet disa herë me thikë. Viktima Ferit Puci, i plagosur, duke u kapur në telat rrethues, bën të dalë jashtë. Por i pandehuri Kujtim Gjeta e godet përsëri në anën e djathtë me thikë. Pas këtij veprimi, vëllai i viktimës, Sefedini, shkon për t'i dhënë ndihmë. Por këtu ai përballet me dhunën e ushtruar. Bashkim Ferhati e godet me thikë dy herë në shpatull viktimën Sefedin Puci. Më pas, Petrit Gjeta e godet me levë. Dy vëllezërit Puci, nuk i shpëtojnë vdekjes, edhe pse u shoqëruan në Spitalin Usharak. Për të vërtetuar akuzat, Prokuroria do të thërrasë si dëshmitarë punonjës të lokalit si dhe familjarët që ndodheshin në vendngjarje. Dy vëllezërit Gjeta janë të martuar dhe me nga 3 fëmijë.