Prokuroria, gjysma e dënimit për adoleshentin që vrau gjyshen
09/11/2004 TIRANË – Ka përfituar menjëherë gjysmën e dënimit, edhe pse nuk pranoi gjykim të shkurtuar. Prokurori Shkëlqim Hajdari kërkoi dje, deklarimin fajtor të Skerdi Bregut dhe dënimin përfundimtar me 12 vite e 6 muaj burg. Sipas prokurorit, i pandehuri Bregu, është autor i veprës penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e gjyshes së tij. Megjithëse në gjykatë, Skerdi Bregu e mohoi veprën penale, ndyshe nga sa bëri në polici, prokurori e ka quajtur përgjegjës për krimin. Ngjarja, sipas akuzës, ndodhi më 18 shkurt 2003. Në nëntor të vitit të kaluar, kur është arrestuar, nxënësi i vitit të tretë të gjimnazit "Eqerem Çabej", ka treguar se ka vrarë pa dashje gjyshen e tij, duke e goditur me levë në ballë. Sipas deklarimeve në polici, Skerdi Bregu, më 18 shkurt 2003, ka lënë orën e tretë të mësimit dhe ka shkuar në shtëpi. Pasi ka hipur në katin e dytë të shtëpisë dhe ka marrë prej andej 50 mijë lekë, duke zbritur Skerdi ka parë gjyshen. E ka shtyrë nga shkallët dhe ajo ka rënë me kurriz në tokë. Ka treguar se instiktivisht e ka goditur me levë në ballë. Më pas është larguar dhe sapo ka dalë nga shtëpia, ku ka lënë gjyshen të vdekur ka hedhur në kanal levën. Ka paguar një taksi dhe ka shkuar në shkollë. Para gjykatës ka thënë se gjyshen e donte dhe se nuk kishte gisht në vrasje. Prokurori Hajdari tha dje, se i pandehuri, pasi ka kryer krimin është munduar të fshehë gjurmët, madje çantën e shkollës, ku brenda kishte shumën e lekëve ia ka dhënë një shoku të klasës. Për muaj të tërë, Bregu arriti t'i shpëtojë policisë. Madje, ai ka marrë pjesë edhe në varrimin e gjyshes së vet.