E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me sistem të ri

Superliga do të ketë sistem të ri garash nga sezoni i ardhshëm. Drejtuesit e basketbollit kosovar thonë se ky sistem, i cili aplikohet në shumë vende evropiane, do të përdoret në mënyrë që garat të jenë më motivuese, më atraktive dhe të kenë më shumë kualitet. Nga Moral Pozhegu më 31 korrik 2011 në ora 15:08

Nga sezoni i ardhshëm, Superliga e basketbollit do të ketë sistem të ri të garave. Numri i skuadrave do të jetë i njëjtë, por sistemi do të ndryshojë rrënjësisht.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka bërë këto ndryshime me propozimin e Këshillit Profesional. Esenca e tyre është për ta bërë kampionatin më atraktiv dhe më interesant. Tek e fundit, këtë sistem e përdorin një pjesë e mirë e vendeve evropiane.

“Së bashku me Këshillin Profesional të FBK-së jemi munduar ta bëjmë garën më motivuese, që të jenë në garë deri në fund të sezonit të gjitha klubet. Të jetë më atraktiv dhe normal presim edhe kualitet, përkundër kushteve të vështira të klubeve”, deklaroi për Express sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Nazmi Paçarada.

“Me këtë sistem nuk ka hapësirë për klube që të ndalen dhe të thonë se e kemi siguruar ekzistencën, apo që jemi në play-off. Por, do të ketë motiv garues deri në fund, sepse nëse nuk je në play-off, je jashtë ligës”, shtoi ai.

Më saktësisht, kampionati i rregullt luhet me sistem dy herë vajtje–ardhje, me gjithsej 28 xhiro. Në play-off inkuadrohen gjashtë skuadrat e para të renditura në tabelë. Në çerekfinale pushojnë dy skuadrat e para, ndërsa luajnë për inkuadrim në gjysmëfinale e treta me të gjashtën dhe e katërta me të pestën (3x6 dhe 4x5). Këto ndeshje luhen me dy ndeshje të fituara.

Në gjysmëfinale takohen i pari me fituesin e çiftit 4x5 dhe i dyti me fituesin e çiftit 3x6. Po ashtu, edhe në këtë rast luhet me dy ndeshje të fituara. Fituesit e gjysmëfinaleve takohen në finale të play-offit, ku luhet me tri ndeshje të fituara. Nga Superliga largohen dy skuadrat e renditura në pozitat shtatë dhe tetë.

Në Superligë për edicionin e radhës inkuadrohen dy skuadrat e para në tabelë nga Liga e Parë. E obligueshme që skuadrat të kenë edhe grupmoshat (juniorë, kadetë dhe pionierë) ndërsa juniorët t’i zhvillojnë ndeshjet në paralojë të seniorëve.

Sa i përket konkurrencës së femrave, do të jetë sistem i njëjtë nga sezoni i fundit. FBK po ashtu obligon klubet që në formacion (protokoll) skuadra mund t’i ketë vetëm 4 lojtarë mbi moshën 25 vjeçare, ndërsa obliguese që t’i ketë minimumin 3 lojtarë nën moshën 20 vjeçare.

Përfaqësuesja U-21 ftohet në Belgjikë

Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrë ftesë zyrtare nga Belgjika për pjesëmarrjen e përfaqësueses U-21 të Kosovës në turneun tradicional ‘Flanders Basketball Trophy 2011’, i cili mbahet më 20-21 gusht në Gent.

Në këtë turne mjaft prestigjioz dhe konkurrues marrin pjesë klube dhe përfaqësuese shumë të forta nga e mbarë bota për të gjitha grupmoshat dhe kategoritë, në të dyja konkurrencat.

FBK njofton se të gjitha strukturat përgjegjëse të Përfaqësueseve do të angazhohen maksimalisht për gjetjen mundësive për pjesëmarrje të Përfaqësueses U-21 në këtë turne, i cili është shumë i dobishëm për Përfaqësuesen kosovare, duke marrë parasysh konkurrencën shumë të fortë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›