E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me tanke kundër demonstruesve

Nga Express më 30 prill 2011 në ora 17:00

Autoritetet siriane kanë dërguar të shtunën në qytetin e rrethuar jugor Dara forca të reja ushtarake, ndërkohë që demonstruesit thonë se të paktën 62 persona janë vrarë në përleshjet gjatë protestave të dhjetëra mijëra demonstruesve në gjithë vendin.

Një banor i Darës ka thënë se në mëngjes ka parë katër tanke dhe 20 automjete transportuese të blinduara se si hyjnë në qytet, i cili është në qendër të protestave gjashtë javore kundër regjimit dhe ndodhet nën rrethimin e forcave qeveritare që nga e hëna.

Sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut në Siri, të paktën 33 civilë janë vrarë në Dara dhe në rrethinën e këtij qyteti, 27 civilë janë vrarë në Homs, në veri të Damaskut dhe dy të tjerë janë vrarë në portin mesdhetar Latakia.

Autoritetet siriane njoftuan se dje “grupet terroriste” kanë vrarë nëntë pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe se janë arrestuar 156 persona.

Ndërkohë, mediet turke njoftuan se 238 sirianë, në mesin e të cilëve ndodhet një grup i madh grash dhe fëmijësh, kanë hyrë në territorin e Turqisë, në rajonin e krahinës jugore Hataj, duke ikur nga shuarja e dhunshme e demonstratave.

Shtetasit e Sirisë në Turqi kanë hyrë duke bartur flamuj turq dhe duke brohoritur “Duam demokraci”, “Duam të jetojmë si turqit”, ndërsa autoritetet turke i kanë vendosur në një palestër sportive dhe iu kanë premtuar se do t’iu ofrojnë ndihmën e nevojshme.

Sipas raporteve të ndryshme, që nga fillimi i protestave në Siri janë vrarë 500 njerëz. Uashingtoni dje ka bllokuar mjetet financiare të vëllait të presidentit sirian Bashar al-Asad, Maher, i cili komandon me Divizionin e katërt të armatosur, si dhe mjetet e disa zyrtarëve tjerë dhe shërbimeve informative.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se ka nisur procedurën për vendosjen e embargos në armatim dhe pajisje, të cilat përdoren për represion në Siti dhe se do të shqyrtojë urgjentisht masat tjera përkatëse, në mënyrë që udhëheqja siriane të ndryshojë shpejt politikën e saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›