"Medalje Mirënjohjeje" për Tie Domin
Ministria e Jashtme i jep Tahir "Tie" Domit "Medaljen e Mirënjohjes". Ky vlerësim i është akorduar 39-vjeçarit, një ish-lojtar i njohur hokeji në Kanada, nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, më 11 maj 2007, me motivacionin "Për krenarinë dhe respektin ndaj origjinës dhe kombit të vet, sensibilizimin e opinionit publik në Kanada për çështjen e Kosovës dhe nxitjen e biznesit të huaj për të investuar në Shqipëri". Medalja iu dorëzua Domit nga zv/ministrja e Jashtme, Edith Harxhi, në një aktivitet të organizuar nga Instituti Kombëtar i Diasporës shqiptare. Edhe pse ka lindur në Vinsdor-Ontario në vitin 1969, pasi prindërit e tij u arratisën nga Shqipëria pas Luftës II Botërore, ai nuk e ka harruar atdheun. Tie Domi ka luajtur për 18 vjet si profesionist në NHL (National Hockey League), duke u aktivizuar në më shumë se 1000 ndeshje. Në kampionatin 1997-98, ai vendosi rekordin negativ me 365 minuta penallti gjatë ndeshjeve brenda një sezoni.