Sër Ferguson feston 22-vjetorin në klub
Ishte 6 nëntori i vitit 1986, kur një trajner i suksesshëm skocez u emërua në "Olld Traford", për të drejtuar Mançester Junajted. Më parë, Aleks Ferguson kishte arritur një seri suksesesh me Aberden, duke fituar tre tituj kampionë në Skoci dhe një Kupë Kupash. Por, për të fituar trofeun e parë të rëndësishëm me "Djajtë e Kuq" në Angli, Ferguson duhej të priste deri në vitin 1990, kur mori të parën (nga pesë) FA Cup. Sukseset në kampionat erdhën vetëm pas vitit 1993, ndërkohë që gjatë qëndrimit me Junajted, trajneri ka fituar dhjetë tituj në Premiership. Në Ligën e Kampioneve, ai e ka drejtuar dy herë skuadrën drejt triumfit, në vitin 1999 dhe gjatë sezonit të kaluar. Më tej, skocezi numëron edhe dy Kupa të Ligës, tetë Superkupa të Anglisë (Community Shields), një Kupë Kupash, një Superkupë të Evropës dhe një Kupë Interkontinentale.