E Diel, 1 Nëntor 2026

Luante nën rrënojat e pallatit të shembur, vdes 12- vjeçari

Flet Lush Kaceri, banori që e nxorri nga rrënojat, trupin e pajetë të vogëlushit. Banorët ankohen se ndërtimorët duhet ti kishin mbledhur të gjitha mbetjet inerte.

SHKODËR Kristian Marku, 12 vjeç, banues në qytetin e Shkodrës, ka gjetur vdekjen, teksa një pllakë betoni e një ndërtimi pa leje të prishur disa ditë më parë i ka rënë sipër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.10 në lagjen “Skënderbeg “në Shkodër, në oborrin mes dy pallateve parafabrikate, përballë varrezave katolike të Rremajit. Të mërkurën inspektorati ndërtimor kishte prishur disa ndërtime, shtesa pas pallateve pasi do të ndërtohet një lulishte publike. Po ndërsa ndërtimet njëkatëshe ngjitur me pallatin , në katin e pestë në të cilin jetonte Kristian Marku janë prishur, mbeturinat nuk janë hequr.

Sipas banorëve të këtyre pallateve, çdo ditë fëmijët luajnë në këtë oborr pasi nuk kanë vend tjetër. Ndërsa në katin e pestë të pallatit ku jeton familja e Kristianit dëgjohen vajtimet e të afërmve, banorët e kësaj pjese të qytetit shprehen se është tepër e rëndë që të vdesë fëmija sepse puna që nisën, nuk kryhet. “Erdhën të mërkurën dhe i prishën ndërtimet pas pallateve se thanë do bëhet lulishte. Nuk kundërshtoi askush, pasi ndërtime pa leje ishin, dhe pse prishja ishte selektive, pasi ku deshën, nuk ndërhynë. Megjithatë, gjithçka përfundoi .U thamë t’i largonin mbeturinat se këtu lozin fëmijët dhe ka rrezik. Nuk e bënë dhe ja çfarë ndodhi. Vdes fëmija që nuk po bënte asgjë veçse po luante në oborrin mes dy pallateve “, shprehen banorë të pallateve në lagjen “Skënderbeg”. Sipas policisë, vdekja e fëmijës ka qenë aksidentale. Në mesditën e djeshme, Kristiani ka qenë duke luajtur, por aty, aksidentalisht një pllakë betoni i ka rënë sipër duke i shkaktuar vdekjen. Ndërkohë që bashkia e SDhkodrës ka hedhur poshtë që të ketë pasur ndonjë aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë. Lush Kaceri, banor i këtyre pallateve ka qenë personi që ka dëgjuar i pasi britmën e fëmijës dhe e ka nxjerrë nga rrënojat .

Si ndodhi ngjarja?

Isha duke hyrë në pallat pasi kisha shkuar për të blerë. Dëgjova një britmë dhe sa ktheva kokën, pashë fëmijën nën soletën e rënë. Kam vrapuar ndërsa kam kërkuar dhe ndihmë. Me shumë vështirësi kam larguar pllakën e betonit mbi trupin e fëmijës. Erdhën dhe të tjerë. Kur e morëm, ai kishte vdekur.

A keni dijeni se çfarë donte Kristiani aty?

Këtu kanë qenë disa ndërtime që të mërkurën u prishën. Erdhi policia ndërtimore , tha janë pa leje dhe do prishen se do bëhet lulishte. Kështu u bë dhe nuk pati asnjë problem. Fëmijët e këtyre pallateve parafabrikatë të ndërtuar që para 1990-ës këtu lozin, në hapësirën mes tyre, se nuk kanë vend tjerër. Kristiani ka hyrë tek ndërtimi i prishur për të marrë një lojë që i kishte rënë. Sipas një komshie, që e ka parë rastësisht nga dritarja pasi ka qenë duke varur ca rroba në tel për t’u tharë, ai është kapur tek një hekur i një pjese të soletës, që kishte mbetur pa u prishur. Fadroma ka prishur ndërtimin në anë dhe soletën, por jo plotësisht. Hekuri e ka lëshuar dhe i ka rënë sipër me gjithë pjesën e betonit. Kur unë e kam nxjerrë, ka qenë nën beton.

A përbën rrezik prania e këtyre mbeturinave të prishjeve?

Rreziku është i madh për fëmijët. Ata janë fëmijë dhe lozin ku të munden. Që atë ditë kur u prishën, i kemi thënë që ti heqin mbeturinat se këtu lozin fëmijët e mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi. Dhe ja, ndodhi. Prishen ndërtimet dhe askush nuk i largon inertet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›