Mediat angleze nuk kanë dyshime: Murinjo mbetet gjithmonë mbreti
Hakmarrja është një pjatë që konsumohet e ftohtë dhe Zhoze Murinjo e kishte përgatitur revanshin ndaj çelsit që prej shtatorit 2007, kur Roman Abramoviç e largoi nga “Stemford Brixh”. Një “divorc” që trajneri portugez nuk e ka harruar, ashtu sikurse edhe mediat angleze. Më kuptimplotat ishin fjalët e përdorura nga tabloidi “The Sun”, që ngrinte pyetjen “përse vallë Roman e largoi Murinjon”, pasi bëri që Interi “të zhvillonte ndeshjen perfekte”, ndërsa vetë tekniku mori “hakmarrjen e hakmarrjeve”. Ky është edhe koncepti i përdorur nga “Daily Mirror”, e cila analizonte “dhjetë gjërat që britanikët mësuan duke ndjekur sfidën çelsi-Inter”. Edhe “Daily Mail” ngre në qiell triumfin e Mout, me titullin “Special Won”, ndërsa vihej në dukje edhe “turpi Drogba”, për paraqitjen e dobët dhe kartonin e kuq. Në kolonat e kësaj gazete përdoreshin edhe titujt “Eto’o është njeriu i fitores së Interit” dhe “Lusio, mbreti i xhunglës”, por mbi të gjitha theksi vihej te fakti se Zhoze u tregoi bluve të Londrës se çfarë kanë humbur duke e larguar. Për rikthimin triumfues të Murinjos, shkruanin edhe “Daily Express” dhe “The Times”. Këta të fundit flisnin për superioritetin e dukshëm të Interit në fushën e lojës, ndërsa drejtonin gishtin kundër Ançelotit, që sipas tyre “vazhdon të jetë në ankth prej fantazmave të së kaluarës”. Kritikat për trajnerin italian erdhën edhe nga “The Indepedent”, sipas së cilës ai humbi “si brenda, ashtu edhe jashtë fushës”. “Daily Telegraph” nënvijëzonte faktin se Murinjo “shembi” skuadrën që kishte ndërtuar vetë.
#