E Diel, 1 Nëntor 2026

Mou: Dua fitore më të mëdha me Interin

Trajneri “shigjeton” Italinë: “Pavarësisht suksesit, sjellja ndaj meje nuk do të ndryshojë”

Ndërsa fliste në sallën e konferencave, pas triumfit të Interit me çelsin, Zhoze Murinjo merrte pa fund komplimente me “sms” në celularin e tij. Trajner, kush po ju uron? “Shumë persona. Mesazhi i fundit më erdhi nga Pietro Menea (ish-atleti rekordmen i Italisë, tashmë politikan), e imagjinoni dot…”. Jeni shokë? “Po, padyshim”. Mbrëmja në “Stemford Brixh” ka qenë mjaft e veçantë për teknikun zikaltër: ajo ishte fitorja e tij. Ishte hakmarrja e pamëshirshme ndaj çelsit të Roman Abramoviç dhe Karlo Ançelotit. Por, luzitani eviton komplimentet dhe nuk humbet rastin për të shigjetuar Italinë dhe aktorët e futbollit në këtë vend: “Ishte një sukses i bukur dhe shumë i rëndësishëm, në atë që ishte shtëpia ime, kundër ish-lojtarëve dhe ish-tifozëve të mi. Megjithatë, nuk mendoj se pas këtij rezultati në Itali do të ndryshojnë sjelljen ndaj meje. Besoj se gjithçka do të qëndrojë kështu siç është”. Murinjo i shpërndan meritat tek e gjithë skuadra për kualifikimin në çerekfinale, përballë një prej kundërshtareve më të vështira në këtë edicion të Champions League. “Nuk është vetëm fitorja ime, e nuk mund të them se nuk ishte as fitorja e jetës për mua. Nuk është ky triumfi që dua të mbaj mend nga karriera ime, shpresoj se do të arrij suksese të tjera, edhe më të rëndësishme. Kjo ishte fitorja e Interit, me të gjithë përbërësit e klubit; e lojtarëve, e atyre që ishin në Londër dhe atyre që qëndruan në shtëpi; e stafit mjekësor; e presidentit dhe drejtuesve të tjerë. Ishte fitorja e tifozëve, të cilët na mbështetën edhe në Angli, por edhe e atyre që ‘vuajtën’ përpara televizorit”, tha Mou.

Nga lojtarët që qëndruan në shtëpi, natyrshëm vëmendja transferohet te Mario Baloteli, i cili u përjashtua nga Interi për sfidën me çelsin, pas një debati të ashpër me Murinjon. Sulmuesi ishte humbësi më i madh i mbrëmjes në Londër. Rreth kësaj çështjeje, Murinjo sqaron situatën, por në asnjë moment nuk ka përdorur emrin e Balotelit: “Gjëja më e rëndësishme për një trajner është që të ketë mbështetjen e skuadrës. Nëse lojtarët janë me ty, mund të luash pa probleme në fushat e mbarë botës. Nëse ata nuk të përkrahin, asnjëherë nuk do të mund të ndërtosh diçka të mirë. Lojtarët e Interit janë me mua, më mbështesin me gjithë shpirt. E kanë të qartë përse kam marrë një vendim specifik dhe ata janë dakord me mua. Tek Interi grupi është kompakt, nuk është e nevojshme të ndryshojmë sjelljen vetëm sepse dikush nuk ndihet mirë me ne. Përkundrazi, personi i cili ndodhet në këtë situatë, duhet të ndryshojë sjelljen, të ndryshojë rrugën”. Me fjalë të tjera, tekniku portugez ka lënë një shteg të hapur për ta falur lojtarin, por me kushtin që ndryshimi i Balotelit të jetë i plotë dhe i sinqertë. Në të kundërt, sulmuesi do ta shohë veten sërish jashtë grupit. Fjalët e kapitenit Havier Zaneti shprehin qëndrimin e të gjithë futbollistëve zikaltër: “Në këto momente skuadra ka nevojë për të gjithë, për të (Balotelin) të parin. Nëse e ka ndjekur ndeshjen me çelsin, mendoj se e ka kuptuar si mund të qëndrosh brenda këtij grupi. Mënyra e vetme është me dëshirë dhe duke sakrifikuar. Përjashtimi? Mendoj se ishte thjesht një zgjedhje teknike, trajneri kështu na e shpjegoi”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›