E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ: Pjesëmarrja rreth 50 %

 

BLEDAR HOTI

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit cilësohen nga ana e KQZ-së si më të lirat. Dy orë, pas mbylljes së procesit zgjedhor, në 21.00, kreu i KQZ-së, Arben Ristani doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se: “Procesi në përgjithësi ka pasur shumë i mirë. Më vjen mirë që përfunduam një pjesë të mirë të procesit, atë të votimit. Është mbyllur në një pjesë të mirë të tyre, në rreth 4751, pa ato qendrat që nuk ka nisur fare votimi”. “Më lejoni të falënderoj të gjithë votuesit shqiptarë që kanë treguar një ndjenjë të lartë qytetarie dhe ndërgjegjshmërie për procesin e votimit. Më duhet të falënderoj forcat politike që bënë një proces të qetë dhe të rregullt. Ato gjithmonë janë konsideruar si aktorë dhe faktorë të rëndësishëm në procesin elektoral. Falënderoj edhe të gjithë vëzhguesit të huaj dhe vendas për detyrën e tyre të vështirë dhe shumë të rëndësishëm, dhe një falënderim për administratorët e KZAZ-ve, KQV-të dhe stafin e KQZ-së”, tha Ristani gjatë shpalljes të mbylljes së procesit të votimit. Ndërsa bëri të ditur se po punohet që baza materiale, kutitë dhe fletët të depozitohet pranë 66 Vendeve të Numërimit të Votave. Ristani garanton transportimin e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, ndërsa shton se transportimi i këtyre materialeve do të shoqërohet nga komisionerët partiake dhe forcat e policisë. Gjithashtu theksoi procesi i numërimit do të jetë krejtësisht transparent i monitoruar nga kamerat. Problematika e transportit ka qenë vetëm në zonën e Elbasanit për gjashtë KQV, pasi është prishur automjeti. KQZ dërgoi makinë tjetër për të bërë të mundur transportimin e materialeve. Ndërsa në ora 23.15 ka nisur numërimi i parë i fletëve të votimit që lidhet me zonën e Hasit. Në këto votime ishin regjistruar 3.084.261 zgjedhës, pjesëmarrja ishte rreth 50%.
Tri mbledhjet dhe debati me Subashin
Deri në ora 24.00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar vetëm tre mbledhje dhe ato kanë qenë gjatë paradites së djeshme, në ora 09.00 dhe në ora 12.00. Mbledhja e tretë u mbajt në ora 24.12, për ndërrim komisionerësh. Fillimisht, për raportimin e situatës, kreu i KQZ-së, Ristani bëri të ditur se “vetëm në 3 qendrat e votimit në Portëz është ndërprerë votimi”. Ndërsa një vulë e humbur në KQV-në e Vlorës u zëvendësua menjëherë dhe u dërgua me helikopter direkt. Ndërsa është bërë e ditur se në 5 KQV, 3 në Fier, 1 në Dibër dhe 1 në Mezhgoran nuk ka nisur votimi. Ndërsa debati në KQZ nisi në lidhje me konstatimin e ngritur nga ana e PD-së se kundërshtarët politikë po përdorin kamera të fshehta dhe aparatura për të verifikuar dokumentet e shtetasve që votojnë. Më pas në ora 11.30, nga ana e kreut të KQZ-së, Ristani u paraqit një projekt-akt, i cili ndalonte përdorimin e këtyre mjeteve teknologjike që cenojnë procesin e votimit. Ky vendim u kontestua ashpër nga ana e anëtarëve socialistë në KQZ, të cilët e cilësuan si antiligjore pasi, kjo bie ndesh me udhëzimin e votuar më parë, i cili kalon me shumicë të cilësuar. Por Kosovrasti i PD-së kontestoi qëndrimin e nënkryetares Dëshira Subashi, duke lëshuar ndaj saj akuza për mashtrime dhe gënjeshtra për një gjë të tillë. “Njazi Kosovrasti t’ju vijë turp edhe atij tjetrit. Me ju nuk punohet, ju doni ta bëni si të doni vetë procesin. Vazhdoni bëjeni. Të kesh turp ti jo unë, se unë nuk gënjej kurrë. Unë mbroj profesionalizmin”, ka replikuar Subashi. Por përfaqësuesi i PD-së i ka reaguar duke shtuar se “turpi është i atij që gënjen”. “Ti nuk ke asnjë të drejtë të më tregosh si të bëj detyrën time. E kuptoni e kam bërë dhe ditë tjetër këtë debat. Vazhdojeni mbledhjen”, theksoi Subashi, e cila u largua nga mbledhja. Ndërsa KQZ-ja e votoi një vendim të tillë vetëm me 4 votat e anëtarëve të maxhorancës, Ristani, Zguri, Shtjefni dhe Osmanaj. Ndërsa anëtarët e majtë në KQZ, Varfi dhe Lazaj votuan kundër.

pjesemarrja ne votime

Qarku BERAT            169.423 zgjedhës     46%
Qarku DIBER             122.287 zgjedhës     43%
Qarku DURRES         289.856 zgjedhës     40%
Qarku ELBASAN        299.663 zgjedhës     50%
Qarku FIER              352.423 zgjedhës     48%
Qarku GJIROKASTËR     121.683 zgjedhës     53 %
Qarku KORÇË           264.492 zgjedhës     50%
Qarku KUKËS          72.941 zgjedhës          53%
Qarku LEZHE          148.491 zgjedhës     48 %
Qarku SHKODËR          239.578 zgjedhës     45 %
Qarku TIRANË            725.446 zgjedhës     50%
Qarku VLORË         277.978 zgjedhës     36%
totalI                  3.084.261 zgjedhës     50%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›