E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti muze i UNESCO-s pa kinema

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Qyteti muze i Beratit, së fundi anëtar i UNESCO-s, prej dy dekadash nuk ka një kinema.

Kërkesës së herëpashershme të banorëve për rikonstruksionin e godinës iu përgjigj ministria përkatëse, duke akorduar një fond prej 16 milionë lekësh, ndërsa bashkia e cila ka në administrimin e saj këtë godinë akordoi pjesën tjetër, duke e çuar në total 20 milionë lekë.
Por pas rikonstruksionit të plotë të kinemasë, destinacioni i saj ndryshoi. Ndryshe nga sa pritej, në vend të sallës me ekranin e madh ku qytetarët të mund të shihnin filma, ambientet e saj janë kthyer në funksion të bashkisë. Kjo e fundit vendosi t’i përshtatë të dy katet e kinemasë së Beratit në zyra. Aty është vendosur zyra e Policisë Bashkiake, Drejtoria e Taksave Lokale, zyra e informacionit turistik etj. Ky veprim i bashkisë ka irrituar tej mase banorët e qytetit, të cilët prej vitit 1990 nuk kanë parë një film në kinema. Madje, Berati është ndër të vetmit qytete të mëdhenj të vendit që nuk ka një sallë kinemaje. Banorët, shumë prej të cilëve intelektualë të qytetit, i janë drejtuar bashkisë me ankesa, duke kërkuar që kinemaja të kthehet në identitet. Ata kërkojnë që paratë e vëna në dispozicion të saj të mos ndërrojnë destinacion. Kinemaja e Beratit “13 shtatori”, është ndërtuar rreth 40 vite më parë. Por pas viteve ‘90, ambientet e saja u shkatërruan. Prej 19 vitesh, qytetarët janë të privuar të shohin një film, ndonëse prej kohësh ata i kanë bërë kërkesë bashkisë së qytetit që të rikonstruktohej godina. Por megjithëse bashkia mori fondet, ajo i përdori ato për të favorizuar dhe zgjeruar ambientet e saj, pra nga kinema në zyra për bashkinë. Vetë zëdhënësi Kadri Kuka u shpreh se punimet e kësaj godine u kryen në parametra bashkëkohore për të pasur një kinema me të gjitha kushtet moderne. Por për hir të nevojave që bashkia kishte në hapësira, u pa e arsyeshme shpërngulja e zyrave të ndryshme në ambientet e reja. Sipas burimeve të bashkisë, në ambientin e investuar për sallë kinemaje ndodhen disa drejtori si dhe Policia Bashkiake. Ky veprim kryhet në një kohë kur aktivitetet në këtë qytet kanë vite që nuk zhvillohen. Të rinjtë e qytetit nuk kanë shkuar asnjëherë në kinema dhe nuk kanë parë një film në një sallë të tillë. Ndërkohë që jo rrallëherë, turistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, pasi qyteti muze u fut në UNESCO, kanë kërkuar të gjejnë kinema, por kanë mbetur të habitur kur mësuan se ky qytet nuk kishte një të tillë që prej 19 vitesh. Shumë të rinj tashmë gjejnë mundësi të argëtohen në forma të ndryshme, kryesisht në terren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›