E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Mediat" mbështesin draftin Lesi-Braçe

02/03/2005  Gazetat që shiten nën koston e prodhimit humbin

të drejtën e reklamave shtetërore

të drejtën e çmimeve të reduktuara për telefoninë fikse

të drejtën e çmimeve të reduktuara për energjinë elektrike

Çmimet e referencës

gazetat deri në 16 faqe, 20 lekë

16 faqe deri në 24 faqe, 30 lekë

24 deri në 32 faqe, 40 lekë

Gazetat që shiten nën koston e prodhimit, nuk do të përfitojnë nga reduktimi i çmimit të energjisë

Heqja e çmimet të gazetave lë shteg për hapësira abuzive

Vendosja e rregullit në tregun e gazetave është bërë dje temë e debati në Komisionin parlamentar të Mediave. Deputetët Erion Braçe dhe Nikollë Lesi kanë kërkuar vendosjen e kritereve sipas standardeve evropiane në shitblerjen e gazetave. Gjatë debateve, kryetari i Komisionit, Musa Ulqini, u ka paraqitur deputetëve një letër të kreut të komisionit të OSBE-së për mediat. Ndërsa Braçe dhe Lesi kanë kërkuar mbështetjen për propozimet e tyre. Madje, ata kanë theksuar se nuk është e vërtetë se kanë kërkuar që të bllokohet shitja e gazetave nën çmimet e kërkuara në iniciativën e tyre. Por, në draft janë propozuar disa çmime reference, të cilat përcaktojnë më qartë se cila është kosto e prodhimit për një gazetë. Sipas propozimeve, Lesi-Braçe, gazetat që shiten nën kosto nuk do të kenë të drejtën që të marrin fitime nga reklamat shtetërore. Ndërsa kosto, për të mos i lënë vend abuzimeve, duhet të përcaktohet qartë në ligj.

Kundërshtimi

Një pjesë e deputetëve në Komisionin e Mediave janë shprehur se në ligjin e shtypit nuk mund të ketë çmime standarde, por duhet vënë vetëm përcaktimi sa gazetat që shiten nën kosto nuk kanë të drejtën e reklamave. Në këtë mënyrë, ata kanë mbështetur idenë që kosto do të përcaktohet nga vetë pronarët e mediave. Një veprim i tillë do të jetë tepër abuziv, pasi të gjitha mediat, që shiten nën koston e tyre, do të japin gjithmonë të dhëna jo të sakta, për të shmangur kështu masat administrative. Ose do të kërkojnë forma të tjera për të ulur artificialisht koston. Madje, lënia e hapësirave për abuzim, gjithnjë e më shumë do të penalizojë tregun e mediave, duke frenuar dhe lirinë e shtypit, pasi nga mungesa e konkurrencës së ndershme dhe gazetat e pavarura do të detyrohen që të gjejnë rrugë të tjera, për të siguruar të ardhurat. Vendimi, për të lënë në ligj vetëm frazën shitja nën kosto, sjell pasojë heqjen e të drejtës së reklamave, do të sjellë dhe një herë një konfuzion në tregun e gazetarëve. Kjo sepse botuesit e mediave që shiten nën kosto, do të tentojnë që të ulin shpenzimet e deklaruara në bilancet e tyre. Pasi për të marrë të drejtën e reklamave detyrimisht do të tentojnë që gazetën ta nxjerrin me fitim. Ky është dhe shkaku pse shumica e deputetëve në Kuvend mbështesin vendosjen e çmimeve të referencës, që, sipas ekspertëve, tregojnë realisht se sa janë shpenzimet për botimin e një gazete.

Eksperienca

Gjithnjë e më shumë, deputetët kanë vënë re se në biznes shfrytëzohen hapësirat që lë ligji për abuzim. Ndaj dhe shpesh në Kuvend ligjet rikthehen për shqyrtim, ku kërkohet mbyllja e këtyre hapësirave. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Mediave, deputetët Lesi dhe Braçe kanë kërkuar që në draftin, që do të miratohet për mediat, të mos lihen hapësira për abuzime. Por duhet të përcaktohet qartë tregu i mediave si dhe konkurrenca e lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›