E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në verë votojnë 2 703 608 shqiptarë

02/03/2005  Përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë deklarohen 4 147 544 banorë

Në zgjedhjet parlamentare të kësaj vere do të votojnë 2 703 608 shqiptarë. Ndërsa sipas regjistrimit të popullsisë, në Shqipëri numërohen 4 147 544 banorë. Megjithatë nga puna e bërë gjatë tre muajve, vetëm 4 321 banorë kanë kërkuar që të jenë në regjistrat e përkohshëm dhe jo të transferojnë dokumentet. Ndërsa 1 820 persona kanë kërkuar që të transferojnë dokumentet sipas ligjit për regjistrimin e votuesve të miratuar vetëm katër muaj më parë në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë do të nisë puna për identifikimin e personave, me të cilët nuk kanë arritur të komunikojnë grupet e punës. Sipas deklaratës së dhënë nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, gjatë punës së bërë janë eliminuar emrat e të vdekurve, si dhe është shmangur regjistrimi në më shumë se një qendër votimi të banorëve. Gjithashtu, është bërë e ditur se nga puna e grupeve të regjistrimit të popullsisë do t'i hapet rruga dhe krijimit të një regjistri themeltar kombëtar. Gjatë këtyre muajve do të nisë dhe programi për krijimin e numrit të identitetit për të gjithë shqiptarët. Ndërsa është hedhur dhe hapi i parë për të arritur standardet e Bashkimit Evropian për garantimin e dokumenteve të identitetit. Gjithsesi, duket se për herë të parë partitë politike nuk kanë shprehur tone pakënaqësie për regjistrimin e popullsisë. Madje të gjitha palët kanë kërkuar që vetë votuesit të verifikojnë nëse e kanë apo jo emrin në listat e votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›