E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediet shtetërore në sitën e dosjeve

17/12/2008  Komisioni i Ligjeve miraton dy amendamente shtesë në ligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve”.

Rrëzohet amendamenti i Nikollë Lesit për kontrollin e gazetarëve në tërësi

Drejtuesit e medieve shtetërore si dhe anëtarët e këshillave drejtuese të medieve publike do t’i nënshtrohen ligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve”. Ky është amendaneti që është miratuar dje në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve, duke zgjeruar në këtë mënyrë subjektet që do t’i nënshtrohen draftit të njohur ndryshe si ligji për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Një tjetër shtesë në draftin e debatuar në Kuvend kishte të bënte me papajtueshmërinë, duke zgjeruar në këtë mënyrë subjektet edhe për ish-kryetarët e degëve të Punëve të Brendshme si dhe për ish-anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ndërkohë që Komisioni i Ligjeve nuk miratoi dy amendamente të tjera, që kishin të bënin me ndjekjen penale të ish-bashkëpunëtorëve dhe përfshirjen në subjektet e kontrollit edhe të drejtuesve dhe botuesve të medieve të shkruara dhe elektronike në tërësi.

Amendamentet

Komisioni i Ligjeve, në mbledhjen e të cilit u angazhuan deputetët zëvendësues Ilir Bano dhe Hajrulla Paturri, për shkak të mungesës së dy deputetëve të mazhorancës, miratoi amendamentin e propozuar nga 5 deputetë për kontrollin e pastërtisë së drejtuesve të medieve shtetërore. Sipas këtij amendamenti, ligji do të shtrijë efektet e tij mbi drejtorin dhe nëndrejtorët e përgjithshëm të RTSH, drejtorin dhe nëndrejtorin e Radiotelevizionit, drejtorët e departamenteve në TVSH-së. Gjithashtu ligji do të shtrijë veprimin edhe për drejtorin dhe nëndrejtorin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) si dhe për drejtuesit e departamenteve në këtë institucion. Por kontrolli i pastërtisë do të përfshijë edhe anëtarët e këshillave drejtuese të medieve publike. Ndërkohë amendamenti i propozuar nga deputeti Nikollë Lesi për shtrirjen e efekteve të këtij ligji edhe për pronarët, bashkëpronarët, drejtorët dhe kryeredaktorët e medieve të shkruara dhe audiovizive nuk u miratua. Po kështu nuk u miratua as amendamenti i propozuar për ndjekjen penale të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Amendamenti “Bushati-Trashani”

Dy deputetë të PD-së, Astrit Bushati dhe Arenca Trashani, që për subjektet e verifikuara, në funksion të nenit 4 të ligjit, të cilët në përfundim të procesit të verifikimit rezultojnë të kenë marrë pjesë në procese gjyqësore politike, të përcaktuar si të tillë nga ligji nr. 7514 datë 30.03.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë të ndryshuar, depozitohet kallëzim penal pranë prokurorisë për fillimin e çështjes penale në ngarkim të tyre.

Anëtarët zëvendësues

Komisionit parlamentar i Ligjeve iu desh dje të përdoret formulën e anëtarëve zëvendësues për të zhvilluar mbledhjen e tij të radhës. Për shkak të mungesës së kuorumit, komisionit iu bashkuan deputetët e mazhorancës Ilir Bano dhe Hajrulla Paturri, që zëvendësuan dy deputetë të tjerë të mazhorancës. Në mbledhjen e komisionit kanë munguar deputetët e opozitës, të cilët janë shprehur publikisht kundër miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›