Medin Zhega: “Maqedonia, një skuadër e rangut të Shqipërisë”

(Interviste) - Medin Zhega, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, është një prej atyre që është përballur me Maqedoninë, madje ka fituar 1-0, teksa kujton edhe disa situata të pakendshme të tifozerisë maqedonase në Prilep të Maqedonisë. Ish-futbollsit i madh i Vllanzisë dhe i Dinamos, është i ftuari special i Albania-sport.com.
Zoti Zhega, Kombëtarja e Shqipërisë përgatitet për ndeshjen miqësore ndërkombëtare me Maqedoninë, një takim që vlen shumë në parapërgatitje e ballafaqimit zyrtar me Slloveninë (24 mars 2007).
- Cdo takim miqësor, dhe sidomos ato në pragndeshje të rëndësishme zyrtare janë absolutisht të domosdoshme për një trajner. Testi me Maqedoninë i vlen shumë trajnerit Baric për të konsoliduar ekipin Kombëtar në të gjitha planet: vlerësimin e gjendjes së futbollistëve të thirrur, ideimin e lojtarëve që do të aktivizohen nga minuta e parë dhe gjithcka tjetër që ka të bëjë me sfondin e ndeshjes, si nga pikpmaja e gjendjes fizike, përgatitjes taktiko-teknike kur bëhet fjalë për futbollistë kandidatë. Kjo mund të realizohet vetëm në kuadrin e një ndeshje miqësore. E theksoj edhe nga përvoja ime, se kjo ndeshje miqësore do t'i vlejë shumë trajnerit të ekipit kombëtar. Nuk duhet të harrojmë, se përpara se Shqipëria të zhvillonte ndeshjet zyrtare me Bjellorusinë (barazim 2-2), Rumaninë (humbje 0-2) dhe Holandën (humbje 2-1) kishte zhvilluar një miqësore modeste me San Marinon (fitore 0-3). Miqësorja e dështuar për arsye objektive me Kongon (15 nëntor 2006), i hoqi mundësinë Baric të testonte përfaqësuesen tonë. Unë jam plotësisht i bindur se grumbullimi në Turqi i vlejti shumë trajnerit të ekipit Kombëtar, pavarësisht se behet shumë zhurmë se nuk ishte një datë e lirë e caktuar nga UEFA dhe FIFA. Në Turqi u paraqitën lojtarët e thirrur nga Baric dhe që kishin mundësi të bashkoheshin me futbollistët nga kampionati shqiptar. Kishte fytyra të njohura por dhe nga ata që duhet të vlerësoheshin apo rikonfirmoheshin nga trajneri. Në listë ishin edhe disa futbollistë të rinj që ndoshta mund të jenë e ardhmja e futbollit tonë, si Memelli që kohët e fundit ka treguar një stabilitet në formën sportive me Bran Bergen në Norvegji. Një tjetër lojtar interesant është edhe Xhevair Sukaj që ka luajtur një rol të pëlqyeshëm me Vllazninë. Nuk përjashtoj edhe futbollistë të tjerë që u ndoqën me vëmendje nga Oto Baric. Shqipëria ka një fluks të madh talentesh që vijnë nga kampionatet e huaja dhe duhen trajtuar me kujdes.
Shqipëria ka një bilanc negativ me përballjet me Maqedoninë. Në pesë përballje: 3 humbje, 1 barazim dhe një fitore për Shqipërinë. Si drejtues i Kombëtares në vitet 1998-2000 keni humbur me fqinjët tanë?
- Po, si trajner kam luajtur një ndeshje miqësore kundër Maqedonisë në Prilep (më 26 prill 2000). Humbëm 1-0, me një penallti të paqenë të dhënë nga një gjyqtar bullgar. Ajo që ende më trishton ishte atmosfera antishqiptare që mbizotëroi në shkallët e stadiumit, ku ultrasit maqedonas ekspozuan shumë banderola me mesazhe denigruese ndaj kombit shqiptar. Patëm shumë probleme që sollën edhe konflikte të padëshiruara. Megjithatë, Maqedonia ka patur futboll, pasi është pjesë e ish-Jugosllavisë, ku kanë shkëlqyer disa futbollistë, dhe mesa di unë edhe Maqedonia e ka patur disa të tillë. Vitet e fundit edhe Maqedonia ka patur rrezultate të mira, por unë do ta vlerësoja si një skuadër të rangut tonë. Në ndeshjen e vetme të luajtur në Shqipëri (10 shkurt 2000) ne kemi fituar 2-0 dhe në atë asnjanjëse të luajtur në Bahrein (5 janar 2002) kemi barazuar 0-0. Të trija humbjet tona kanë ndodhur në Maqedoni, një herë në Tetoëve (5-1) dhe dy herë në Prilep (1-0, 3-1).
Zhega, ju keni arritur të fitoni "Kupën Rothmans" gjatë turneut në La Valleta të Maltës, pikërisht në ndeshje që kanë qenë jo vetëm të lira nga UEFA, por për më tepër në ato ndeshje kanë spikatur disa lojtarë...
- Ndeshjet miqësore në turneun e "Kupës Rothmans" në vitin 2000 më lejuan të vëzhgoj disa lojtarë për të kryer sipas pikpamjes sime të atëhershme sjelljen edhe të lojtarëve të rinj në ekipin kombëtar. Ishte trofeu i dytë i fituar nga një ekip kombëtar shqiptar, pas atij të kampionatit ballkanik në vitin 1946. Një trofe i fituar pas 54 vjetësh, edhe pse nuk u fitua në një datë të lirë të UEFA-s. U fituan disa lojtarë, ku dëshiroj të përmend Geri Cipin, një nga shtyllat e formacioneve të mia. Lojtarë të tjerë ishin Vioresin Sinani, Suad Lici dhe Rezart Dabulla, kur nuk duhet të harroj se në listë kisha Rudi Vatën, Edvin Muratin, Altin Haxhin, Arjan Beqaj. Më mungonin Foto Strakosha, Ervin Skela, Besnik Hasi, Erjon Bogdani.
Debatik Curri është shndërruar në një nga lojtarët titullarë në ekipin Kombëtar. I vlerësuar si një zbulim i Hans Peter Briegelit në ndeshjen miqësore kundër Bjellorusisë (0-0) dhe i konsideruar si një nga lojtarët kyc të përfaqësues nga Oto Baric...
- Edhe unë vlerësoj shumë atë. Madje, e quaj veten me fat, pasi kur kam qenë trajneri i FK Prishtina në Kosovë isha unë ai që e zbulova cilësitë e tij të jashtëzakonshme përpara kolegëve të mi Briegel e Baric. Atëherë më bente përshtypjen për natyrën e tij të ndrojtur, por me cilësi të mira fizike. Luante me të rinjtë e Prishtinës. E futa me iniciativën me ekipin e parë të Prishtinës dhe qysh në debutimet e tij të para e tregoi veten si një lojtar me të ardhme të madhe. Jam plotësisht dakord që ai është një futbollist që po shkëlqen me ekipin tonë Kombëtar. Golin e Currit ndaj një kampionëve të Europës, Holandës e pata fatin ta shihja në "Amsterdam Arena" dhe Debatiku pas ndeshjes erdhi dhe më takoi e më falënderoi për gjithcka kam bërë për të.
Futbolli kosovar është pak i njohur në Shqipëri, dhe mediat e shkruara shqiptare nuk janë shumë të informuara për zhvillimet atje. Cili është opinioni juaj për futbollin atje, nisur edhe nga fakti se keni drejtuar një nga krenaritë e Kosovës, FK Prishtina?
- Ruaj shumë dashuri për atë futboll dhe për Kosovwn. Ashtu si në Shqipëri, edhe atje në Kosovë janë të cmendur për futbollin. Ka shumë që po shpërthejnë. Vetë fakti që në ekipin tonë kombëtar luajnë shumë shqiptarë nga Kosova flet shumë. Jam i mendimit se talentet kosovarë nuk zhvillohen plotësisht në rast se do të qendrojnë në Kosovë, por vetëm në klubet e huaja ku dhe kampionatet janë më të zhvilluara dhe infrastruktura është optimae. E njëjta vlen edhe lojtarët e talentuar të Shqipërisë. Ju e shikoni që futbollistë kosovarë që janë pjesë e Kombëtares shqiptare luajnë në Europë: Lorik Cana në Francë, Debatik Curri dhe Armend Dallku në Ukrianë, Besnik Hasi në Belgjikë, Arjan Beqaj në Qipro dhe Besart Berisha në Gjermani. Por, edhe lojtarë të tjerë që po flitet këto ditë si Leutrim Neziraj apo Rrustemaj luajnë në Gjermani.
Ndeshjet e Shqiperisë me Maqedoninë
14.05 1994, Tetovë Maqedoni- Shqipëri 5-1
10.02.2000, Tiranë Shqipëri - Maqedoni 2-0
26.04.2000, Prilep Maqedoni - Shqipëri 1-0
5.01. 2002, Bahrein Maqedoni- Shqipëri 0-0
20.08.2003, Prilep Maqedoni- Shqipëri 3-1
07.02.2006, Shkodër, Shqipëri-Maqedoni (ora 16:00)