E Hënë, 2 Nëntor 2026

Po jepen premtime butaforike dhe propogandistike

30/05/2005  Intervistë me kandidatin e PD-së, Viktor Gjini

Lindur më 14.04.1964 në Fier

Është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë

Ka punuar për 15 vjet në Fakultetin e Mjekësisë si pedagog

Prej 3 vjetësh punon mjek kardiolog në spitalin civil Fier

Gjendja civile: I martuar me një fëmijë

Zoti Gjini, pse vendosët të kandidonit sërish në këtë zonë elektorale në Fier?

Mendoj, si të gjithë shqiptarët e tjerë, se Shqipërisë i duhet një ndryshim i madh, pasi ka vite, që vendi po zhytet në varfëri ekstreme. Na duhet një ndryshim i madh si një kusht i vetëm për tu ndarë nga e tashmja, nga izolimi dhe, për të hyrë në Evropë, që ne të gjithë e aspirojmë. I bindur se mund të kontribuoj për këtë ndryshim, vendosa të kandidoj. Kam zgjedhur këtë zonë, sepse unë jam banor i zonës elektorale ku unë kandidoj, i njoh hallet dhe problemet e tyre, falë edhe profesionit tim si mjek dhe mendoj se kontriboj më mirë këtu, se në ndonjë zonë tjetër. Gjithsesi, kandidimi në këtë zonë ishte fryt i bashkëpunimit midis meje dhe PD.

Ç'premtime i ofroni elektoratit tuaj nëse merrni fitoren?

Kam dëgjuar shumë këto ditë nga kandidatët e tjerë, të forcave të ndryshme politike, a thua se janë duke kandiduar për kryetarë bashkie. Brenda këtyre premtimeve, unë shoh dy elementë. E para, unë shoh elementin butaforik dhe propogandistik të fushatës dhe e dyta, unë konstatoj për fat të keq, mungesë respekti për qytetarët, pasi ato janë premtime që nuk lidhen fare me fushën e deputetit. Ajo që unë i premtoj qytetarëve dhe zgjedhësve të mi, është që unë do të jem avokati i tyre, zëri i tyre në Parlament dhe në Qeveri, pavarësisht se cilës forcë politike i përkasin ata dhe ç'forcë politike do t'i përkasë qeverisë, unë në plan të parë do të vë interesat e qytetarëve, dhe pastaj interesat e PD-së. Ky është premtimi më i madh që unë u bëj qytetarëve, që unë do të jem gjithnjë në anë të tyre dhe jo në atë të pushtetit, pavarësisht se kujt do t'i përkasë ky pushtet.

Keni besim tek fitorja, dhe ku e mbështesni besimin?

Unë jam i bindur se këtë herë, fitorja do të na buzëqeshë për dy arsye. Së pari, sepse situata është e pjekur, unë do ta krahasoja me atë të një gruaje shtatzanë që është në lindje e sipër, pra, nuk mban më. Pakënaqësia popullore është e përmasave jashtëzakonisht të mëdha. Kriza që ka pllakosur këtë vend, është e tillë që zgjidhja duhet të jetë imediate dhe duke besuar në pjekurinë dhe intuitën e shqiptarëve, unë mendoj se këtë herë fitorja është e sigurt. Për me tepër, që PD dhe unë si përçues i ideve të saj në zonën elektorale ku marr pjesë, paraqes një program dhe platformë mjaft të besueshme, në të cilën ndodhen zgjidhjet konkrete për të gjitha problemet që ka sot shoqëria shqiptare.

Ç'mendoni për kandidaturat e tjera në zonës suaj?

Ajo që do të thosha, është se unë nuk jam përballë kandidatëve të tjerë, por unë jam përballë qytetarëve. I respektoj si qytetarë të nderuar të këtij qyteti, por unë nuk kam asnjë punë me kandidatët e tjerë. Fitoren unë nuk e bazoj tek gara e rivalëve, sesa tek puna me qytetarët e mi, për ti bindur ata që unë jam kandidatura më e mirë për të cilën ata duhet të votojnë. Përsa i përket atyre, unë mendoj se ata janë qytetarë të nderuar. Unë jam e bindur tek një fushatë e qytetëruar dhe civile dhe mendoj se vetë niveli i votuesve, e kërkon një gjë të tillë. Nëse do të paraqesim tone të ashpra, mendoj se qytetarët nuk do të na mbështesin. Përsa i përket kandidatit të PS-së, unë ndjej rivalitet. Albert Çaçi është rivali im kryesor, unë nuk mund ta mohoj këtë gjë, madje është për t'u vlerësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›