E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD çel punimet e Kongresit Elektoral

Partia Socialdemokrate çeli dje ditën e parë të punimeve të Kongresit të pestë të saj. Në prag të nisjes së fushatës, kryetari i saj, Skënder Gjinushi, bëri një bilanc të sfidave të Partisë Socialdemokrate në katër vite opozitë, duke konsideruar si mjaft korrekt dhe të qartë qëndrimin e kësaj partie karshi qeverisë së djathtë, e cila, sipas tij, rezultoi të ishte një dështim. Ndër të tjera, Gjinushi iu referua garës elektorale të vitit 2007. Edhe këtë sfidë, Gjinushi e konsideroi një sukses të plotë, duke theksuar se fitorja e atyre zgjedhjeve pati rëndësinë e saj në kryeqytet. Duke u ndalur tek lokalet e 2007, kreu i PSD iu referua nismës së fundit të mazhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e kryetarit të bashkisë, Edi Rama, për lejet e ndërtimit. Sipas Gjinushit, mazhoranca e ka marrë tashmë përgjigjen me votën që dhanë tiranasit në vitin 2007 dhe me fitoren e thellë të së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke folur për pozicionin e mëtejshëm të Partisë Socialdemokrate, brenda së majtës, Gjinushi konfirmoi se partia që drejton është aleatja më e qartë e PS dhe e së majtës, duke konfirmuar edhe lidhjen e marrëveshjes elektorale me selinë rozë. "Do jemi në qeverisjen e ardhshme", deklaroi Gjinushi. Ndër të tjera, ai iu referua edhe katër viteve të qeverisjes së të djathtës. Gjinushi e konsideroi qeverisjen e Berishës si të pamoralshme dhe me skandale e afera korruptive. Ai konstatoi se në ngjarjet më të mëdha korruptive është ajo e Gërdecit që solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve dhe atë që ai e konsideroi vjedhjen e shekullit, që u vu re, sipas tij, në procesin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Pritet që sot PSD të zhvillojë ditën e dytë të Kongresit të pestë ku do të votohet për kryetarin e partisë. Përballë kandidaturës së kryetarit aktual, nuk ka asnjë kandidaturë tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›