Mediu: E djathta, shanse për çdo shqiptar
E djathta është një mozaik vlerash që ofron shanse për çdo qytetar shqiptar. Këtë bindje shprehu dje kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, gjatë një takimi elektoral në qytetin e Përrenjasit. Kreu republikan, Mediu, vuri në dukje se "e djathta shqiptare është e ndjeshme ndaj çdo kërkese të qytetarëve shqiptarë, sepse është një mozaik vlerash, që i ofron shansin politik të gjithëve dhe ka vend për të gjithë shqiptarët”. ''Ne kemi bërë shumë këto katër vite, por do të bëjmë edhe më shumë, do të nxisim sektorët për të hapur vende të reja pune, do të investojmë më shumë në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe energjitikë për një të ardhme më të mirë”, - tha z. Mediu. Ai nënvizoi: “Rruga jonë me shqiptarët dhe për shqiptarët nuk mbaron me një mandat qeverisës; është e gjatë për fëmijët, prindërit, familjet dhe të afërmit tanë, për Shqipërinë që duam”.