E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi e Pollo: Të rinjtë votojnë PD-në



Kandidati i PD-së për qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, dhe ai për qarkun e Beratit, Genc Pollo, kërkuan dje votat e të rinjve për rikonfirmimin e mandatit të PD-së 2009-2013. Olldashi zhvilloi një takim me të rinjtë e komunës Cakran të Lushnjës, të cilët u anëtarësuan në PD. Olldashi vuri në dukje se nuk ka aktivitet më të mirë sesa anëtarësimi i njerëzve në PD, shtimi i radhëve të kësaj partie, zgjerimi i saj me njerëz të rinj që sjellin frymë të re, që kanë kontribute për të dhënë dhe që të gjithë së bashku të konfirmojnë mandatin e dytë të Partisë Demokratike në 28 qershor. Gjatë takimit me të rinjtë e Cakranit, të anëtarësuar rishtazi në PD, Olldashi tha se Shqipëria gjatë qeverisjes së mazhorancës së djathtë ka bërë ndryshime thelbësore në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik të një vendi. ”Në këto 4 vite, Shqipëria ka ndryshuar në çdo drejtim: kemi ndërtuar një infrastrukturë moderne, kemi luftuar korrupsionin, kemi ndërtuar shkolla, kemi stimuluar shkollimin e të rinjve, kemi rritur pagat dhe pensionet”, - u shpreh Olldashi. Kurse kandidati i qarkut të Beratit, Genc Pollo, u takua me të rinjtë e FRPD-së, para të cilëve theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në votime për të gjithë të rinjtë dhe për ata që votojnë për herë të parë. “Ata që mes jush janë maturantë, janë zgjedhës dhe kanë marrë kartat, jam i sigurt që bashkë me shokët e tyre, edhe me të tjerë që nuk kanë votuar më parë, apo ata që kanë votuar ndryshe, më 28 qershor do të votojnë për PD-në, për Beratin që po ndryshon dhe për Shqipërinë që po ndryshon”, - tha z. Pollo. Ai shtoi se qeveria aktuale ka rritur investimet në arsim, ka dyfishuar numrin e studentëve dhe e ka bërë mjaft cilësor arsimin bazë dhe të mesëm. “Më 28 qershor do të vendosim të ardhmen më të mirë tuajën, atë që është e ardhmja më e mirë e Shqipërisë, 4 vjet të tjera në qeverisjen e PD-së. Ju do t’u thoni të gjitha atyre OJQ-ve abuzive, që vjedhin paratë e botës dhe si rregull i bashkohen PS-së, që hapi dje fushatën e dini ku? Aty ku 19 vjet më parë moshatarët tuaj filluan lëvizjen demokratike dhe rrëzuan regjimin komunist”, - tha më tej Pollo i cili shtoi: “Nuk kishte gjë më qesharake se pikërisht në atë shesh të Qytetit Studenti, në sheshin “Demokracia”, të shihje ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Arsimit të Partisë së Punës së regjimit komunist”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›