E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD në fushatë, slogane me arritjet e qeverisë

Arritjet e qeverisë demokratët i kthejnë në slogane elektorale. Në 4 vite qeverisje, sukseset janë pa fund, por prej tyre janë përzgjedhur më të spikaturat. Përmes tyre, PD-ja do të kërkojë votat e shqiptarëve për konfirmimin e mandatit qeverisës 2009-2013. Slogane me arritjet e qeverisë dhe jo më postera individualë, por të përgjithshëm. Pikërisht ky është modeli i ri i partisë në pushtet, i cili do të shpaloset gjatë ditëve të fushatës së re elektorale. Tashmë janë specifikuar sukseset më kyçe të qeverisë së mazhorancës, duke i hedhur ato në slogane, në të cilat dominon “Shqipëria po ndryshon”. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri, nuk do të ketë më postera për kandidatët, siç ka ndodhur deri tani. Ata do të jenë vetëm postera të përgjithshëm, për faktin se sistemi i ri elektoral e dikton një gjë të tillë, pasi nuk bëhet fushatë për kandidatët, por për partitë politike. Në këtë mënyrë, shtabi elektoral i PD-së ka vendosur që të bëjë fushatë duke u kujtuar qytetarëve shqiptarë rezultatet kryesore të qeverisjes së djathtë 2005-2009, por duke u dhënë një përparësi të dukshme edhe premtimeve elektorale të mandatit të ri 2009-2013. “Shqipëria po ndryshon” do të ndiqet nga “Shqipëria në NATO”, “Shqipëria në BE”, “Ne do të lëvizim të lirë në Evropë”, “Ne ia dolëm”, “Ne mbajtëm premtimet”, “Ne dimë të qeverisim”, “Ne zhdukëm bandat, sollëm sigurinë”, “Ne goditëm korrupsionin”, “Ne mbrojtëm paratë e shqiptarëve”, “Ne rritëm pagat dhe pensionet”, “Ne shtruam rrugët tona”, “Ne zhdukëm varfërinë” etj. Burimet sqarojnë se gjithçka është gati dhe posterat janë duke u shpërndarë në të gjitha qarqet dhe komunat e Shqipërisë. Do të jetë portreti i Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, jo rrallë i shoqëruar me imazhe të sukseseve të qeverisë, të cilat në mitingjet kryesore do të shfaqen për qytetarët shqiptarë. Nga ana tjetër, kandidatët për deputetë, dinë zonat elektorale ku do të bëjnë fushatë zgjedhore deri më 26 qershor, bashkë me shtabet që kanë ngritur në zonat përkatëse. Asnjëri prej tyre nuk do të ketë postera të vetët individualë, ndërkohë që në çdo takim do të prezantojnë posterat e liderit Berisha dhe ata me arritjet dhe premtimet e qeverisë. Kjo praktikë e re, që shkon në përputhje me sistemin e ri elektoral ku votohet për partitë dhe kryetarët e tyre, zëvendëson atë të traditës së mëparshme, ku jo vetëm mitingjet elektorale, por edhe ndërtesat e banimit apo objekte të tjera mbusheshin me fotografitë e pafund të kandidatëve për deputetë. Madje, ato qëndronin gjatë nëpër muret ku ishin vendosur. Jo rrallë gjen edhe tani pas 4 vitesh shumë prej posterave të kandidatëve që konkurruan në 2005-n dhe që kanë mbetur ende të ngjitur në ndonjë faqe muri. Fleta e re e votimit detyron qytetarët shqiptarë që të votojnë vetëm për partinë dhe kryetarin e saj, në rastin konkret për PD-në dhe kryetarin Sali Berisha. Kjo është arsyeja që demokratët kanë hequr dorë nga posterat e kandidatëve dhe janë fokusuar vetëm tek ai i liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. PD-ja qeverisi vendin përgjatë katër viteve, duke ndërmarrë reformat më të rëndësishme që janë parë ndonjëherë në historinë e vendit, gjë që solli dhe momentin historik për kombin shqiptar, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›