E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Berisha përuron terminalin e karbohidrateve



Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga zyrtarë të qeverisë italiane dhe investitorë privatë, përuroi dje përfundimin e terminalit të depozitimit të karburanteve në gjirin e Vlorës. Investimi prej 57 milionë eurosh, sipas zëvendësministrit italian të Ekonomisë, Adolfo Urso, hap tregun energjitik të Shqipërisë dhe lehtëson eksportin e naftës bruto të vendit. Por Kryeministri Sali Berisha pohoi se terminali i ndërtuar brenda zonës së parkut energjitik, pranë termocentralit, ka një domethënie tjetër. “Sot qyteti bëhet me terminalin më të ri dhe më modern të Mesdheut, me një port të standardeve më të larta. Në strategjinë e qeverisë sime për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjitike rajonale, ky është një diamant i vërtetë”, - tha z. Berisha. Sipas tij, ky investim strategjik për vendin, që mundëson në fazën e parë depozitimin e 55 mijë metrave kub nafte dhe 4 mijë metrave kub gaz, si dhe pritjen e anijeve 20 mijë tonëshe në port, do të pasohet nga lehtësi të tjera fiskale për të thithur të tjera investime. Berisha shtoi: “Shqipëria është bërë vend i besimit të madh për investitorët italianë dhe botërorë. Ajo do të jetë vendi me taksën fiskale më të ulët në Evropë dhe së shpejti do të jemi vendi me konkurrencën më të lirë”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Saba D’Elia, zv.ministri për Zhvillim Ekonomik i qeverisë italiane z. Adolfo Urso, drejtori i Petrolifera Italo-Albanese, z. Guido Ottolenghi, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë etj.

Qeveria, 500 milionë euro investime në Vlorë

Qeveria “Berisha” gjatë mandatit që po lëmë pas, vetëm për Vlorën ka investuar afro 500 milionë euro, më shumë se në çdo qark tjetër të vendit. Përmes një konference për shtyp dhënë dje në Vlorë, Berisha vlerësoi arritjet e mazhorancës gjatë këtij mandati, ndërkohë që shpalosi disa nga drejtimet kryesore të programit elektoral për qeverisjen e ardhshme. Ai shprehu besimin se 28 qershori do të jetë një 22 mars i dytë për demokracinë shqiptare. Duke u ndalur në investimet e realizuara në Vlorë, Kryeministri Sali Berisha veçoi mes të tjerash, ndërtimin e terminalit të Petroliferas dhe TEC-in, që, sipas tij, fuqizojnë dhe nxisin zhvillimin ekonomik dhe të turizmit në këtë qark. Kryeministri Sali Berisha nënvizoi se në katër vitet e qeverisjes, në Vlorë janë investuar rreth 500 milionë euro ose më shumë se çdo qark tjetër i vendit. Sipas tij, me këto investime të realizuara janë hedhur themelet për 6-fishimin e tyre në katër vitet që vijnë. Mes investimeve të pritshme, ai veçoi portin e madh të kontejnerëve, projekti i të cilit ka një vlerë financiare prej 2 miliardë eurosh dhe ku do të punësohen 30 deri në 50 mijë punonjës e specialistë dhe ku do të funksionojë zona e lirë dhe aeroporti. Kryeministri shtoi se gjatë këtyre katër viteve në qarkun e Vlorës janë ndërtuar e asfaltuar 250 km rrugë kryesore, dytësore e tretësore, ndërkohë që në mandatin e ardhshëm i gjithë sistemi rrugor në këtë qark do të jetë i asfaltuar. Kryeministri Sali Berisha, në prononcimin e tij për median lokale, bëri të ditur se ka përfunduar master-plani i bregdetit, ndërkohë që brenda këtyre ditëve do të realizohet edhe master-plani i zonës bregdetare Orikum- Radhimë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për atmosferën e zgjedhjeve të 28 qershorit, Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, u shpreh se kandidatët për qarkun e Vlorës janë kandidatët e fitores, të cilët do ta përfaqësojnë Vlorën më mirë dhe më fuqishëm se kurrë në historinë e pluralizmit shqiptar. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, kreu i qeverisë theksoi: “Procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti është një proces i shkëlqyer”. “Zhurma që po bëhet për kartat e identitetit, është për të mbuluar dëshirën e Edi Ramës për të mos marrë pjesë në zgjedhje”, - theksoi Berisha. Ai u ndal gjithashtu në investimet e tjera të realizuara në qytetin e Vlorës, duke veçuar segmentin e emërtuar “Transballkanikja”, që, sipas Kryeministrit Berisha, është investimi më madhor në këtë qytet në 20 vitet e fundit. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për një incident që ndodhi sot paradite, në afërsi të bregdetit perëndimor të Vlorës, kur një sasi solari ishte hedhur qëllimisht në afërsi të vijës detare, Kryeministri Berisha, tha: "Ai ishte një akt i shëmtuar, i organizuar nga i njëjti person që organizoi vjedhjen imagjinare të orës së ish-Presidentit Bush". Ai tha se mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit përbën një nga prioritetet ku vetëm për pastrimin e ujërave që derdhen në det nga Velipoja në Ksamil, qeveria ka akorduar fonde me një vlerë prej 130 milionë eurosh. Në konferencën për shtyp për gazetarët dhe mediat lokale në Vlorë, Kryeministri Berisha u ndal edhe në ritmet e rritjes së ekonomisë së vendit, duke theksuar se të ardhurat buxhetore për këtë vit, janë 8 për qind më të mëdha se ato të vitit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›