E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i ri, Berisha: Vlora, metropol i rajonit



Kryeministri Sali Berisha u premton vlonjatëve se do ta shndërrojë qytetin e tyre në metropol të rajonit, pasi do të ndërtohet kantieri më i madh në Ballkan dhe porti më i rëndësishëm në rajoni. Z. Berisha hapi mbrëmë fushatën elektorale në Qarkun e Vlorës, ku me mijëra veta mbushën sheshin e Flamurit si mbështetje për PD-në dhe qeverinë e saj. Mes thirrjeve “Fitore, fitore!”, lideri demokrat dhe Kryeministri i vendit, Berisha, vuri në dukje se në këto 4 vite qeveria ka mbajtur premtimet e dhëna në 2005-n. Ai pohoi para qytetarëve të Vlorës, se qeveria e tij vjen në këtë shesh me të gjitha premtimet e bëra realitet, si rritjen e pagave dhe pensioneve, për të cilën siguroi se punonjësit shqiptarë do të paguhen njëlloj me punonjësit në vendet anëtare të BE-së. Ne, - bëri të ditur Berisha, - kërkojmë votat tuaja jo për ato që kemi bërë, por duam votën që në mandatin e dytë qeverisës, së bashku të ndërtojmë Vlorën evropiane. Kryeministri siguroi se katër vitet që vijnë janë vitet e Vlorës metropol rajonal. Ai iu drejtua atyre: “4 vitet që vijnë do të jenë vitet e punës, e mundit, e djersës sonë më të madhe. “Shqipëria në punë”, do të jetë motoja jonë. Shumë flasin për punën, por ku do t’i punësojnë? A mund të punësojnë ata të dashur vlonjatë që votuan kundër marrëveshjeve koncesionare, me të cilat punësohen së paku 100 mijë shqiptarë?”. Por z. Berisha tregoi dhe rrugët përmes së cilës qeveria e djathtë do të mundësojë punësimin e shqiptarëve. Berisha vuri në dukje se vetëm porti i Vlorës do të punësojë 30 mijë deri në 50 mijë qytetarë. Kryeministri kujtoi se në datën 8 qershor në kaskadën e Devollit nisin punimet për projektin hidroenergjetik më të madh të Evropës, i cili do të punësojë 5 deri në 7 mijë punëtorë. Ai pohoi se “veprat gjigande janë në interes kombëtar, por po kaq rëndësi për mua ka punësimi juaj, po kaq rëndësi ka mirëqenia juaj”. “Shqipëria evropiane do të thotë që vlonjatët, shqiptarët kudo që janë të udhëtojnë në rrugë evropiane dhe unë ju jap fjalën se Shqipërinë do t’jua jap në pëllëmbë të dorës, me rrugë më të bukura, më të shpejta, që do të ndërtohen në Shqipëri. Unë e kam mbajtur fjalën time, hidhni sytë drejt bregut dhe shihni se rruga ndjek autostradën me katër korsi që lidh Vlorën me Tiranën, Vlorën me Shkodrën, që lidh Vlorën me Prishtinën”, - u shpreh z. Berisha. Evropianë, - shtoi ai, - do të thotë që ju të keni ujë 24 orë. “Ne që sollëm drita 24 orë, ne do të sjellim ujë në shtëpitë tuaja 24 orë, Vlorë evropiane do të thotë asnjë shqiptar në mjerim”. Berisha siguroi se “në mandatin tim të dytë nuk do të ketë asnjë qytetar të këtij vendi me të ardhura nën dy dollarë në ditë”. “Unë kam dëshirë të zjarrtë që rrogat dhe pensionet tuaja të paguhen si evropianët. Katër vitet që shkuan me punën dhe djersën tonë, lamë prapa dy vende anëtare të BE-së dhe shkuam deri në 30 % rroga më të larta dhe do lëmë pas 6 vende anëtare të BE-së, kjo është sfida evropiane. Shqipëria evropiane dhe Vlora evropiane është që ju të dashur qytetarë të lëvizni në mbarë Evropën pa viza”, - deklaroi ai. Kryeministri premtoi se në vitin e parë të mandatit të dytë, shqiptarët do të lëvizin pa viza në vendet e zonës “Shengen”, teksa falënderoi 1 milion e 300 mijë shqiptarëve që aplikuan për dokumentet e reja të identitetit, dokumentet evropiane. Por kreu i qeverisë ftoi sërish Edi Ramën që të hyjë në garë, ndërsa i kujtoi se ka zgjedhur për fushatë të PS-së një këngë çetnikësh serbë. “Vendose emrin në krye të listës së partisë tënde. Dil në shesh të burrave, mos bëj atë që nuk e ka bërë ndonjë lider partie i një vendi të lirë. Eja këtu dhe në këtë shesh dhe mburrju këtyre qytetarëve dhe thuaju se cili lider evropian nuk ka pranuar, pavarësisht nga humbja që e pret, të mos jetë në krye të listës. Ti me këtë kthehesh mbrapa shumë. Këngën “Çohu, çohu” e ke marrë nga internacionalja socialiste, apo këngë të çetnikëve serbë, këtë nuk e di”, - theksoi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›