E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kërkon listën e zgjedhësve



Prej disa ditësh, PS po hesht për kartat e identitetit, të cilat ishin shqetësimi kryesor publik i kësaj partie për një kohë të gjatë. Por ndërkohë që përgatitet për të bërë kallëzim penal ndaj krerëve të Ministrisë së Brendshme për këtë çështje, një tjetër çështje është kthyer në vëmendjen e socialistëve, për shkak të organizimit elektoral në prag të zgjedhjeve. Bëhet fjalë për listën e plotë të zgjedhësve shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, një kopje të së cilës PS ia ka kërkuar dje me ngulm Ministrisë së Brendshme. Në fakt ka qenë një rikërkesë, pasi Fatmir Xhafaj, autor i letrës, thotë se para disa ditësh këtë listë e ka kërkuar zyrtarisht nga zyra e Gjendjes Civile dhe nuk ka marrë akoma përgjigje. PS bën të ditur se mospasja e një kopjeje të listës vështirëson angazhimin e kësaj partie për zgjedhje, që nënkupton një lloj sondazhi partiak paraprak për votat e sigurta, duke u bazuar në listën e votuesve.

“Sot është dita e 6-të nga afati i mbylljes së listave përfundimtare, si dhe nga dorëzimi i kërkesës sonë dhe ju në shkelje të hapur të ligjit nuk keni kthyer ende një përgjigje, kur dihet që mbeten edhe vetëm 24 ditë nga data e zgjedhjeve”, - i shkruan PS-ja ministrisë. Xhafaj e cilëson këtë mungesë transparence në komunikimin normal institucional, që ministria është duke treguar ndaj subjekteve zgjedhore. “Ne i konsiderojmë këto veprime jo thjesht e vetëm shprehje të paaftësisë qeverisëse, por elementë të strategjisë së kësaj mazhorance për ta mbajtur procesin në mungesë transparence dhe për t’i vënë kundërshtarët tuaj politikë në vështirësi organizimi elektoral dhe si një përpjekje për të mbuluar gjurmët e manipulimeve të mundshme të procesit, përpjekje me të cilat ne po përballemi përditë”. Sipas Xhafajt, këto janë detyrime të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, çka do të thotë se me këto veprime jeni duke shkelur ligjin.

Ministria rifreskon të dhënat për procesin e pajisjes me karta

Ministria e Brendshme ka bërë dje një rifreskim të publikimit të të dhënave të fundit që mbajnë datën 2 qershor për ecurinë e procesit të pajisjes me karta identiteti. “Kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik 14.900 shtetas, duke e çuar kështu numrin total të aplikimeve në 1.202.584. Kanë tërhequr letërnjoftimet e tyre ditën e djeshme 20.807 shtetas, duke e çuar kështu numrin total të letërnjoftimeve të tërhequra në 696.314”, - thuhet në njoftimin e djeshëm të kësaj ministrie. Ndërkohë, ky dikaster u bën thirrje votuesve që të jenë më aktivë në këtë proces, duke kërkuar nga ata që të tërheqin kartat dhe të shkojnë të aplikojnë sa më shpejt. “Megjithatë, duke qenë se po shfrytëzohen vetëm 1/3 e kapaciteteve reale që kemi në terren, u bëjmë thirrje të gjithë atyre qytetarëve që nuk kanë pasaportë dhe nuk kanë aplikuar ende, të paraqiten sa më parë pranë zyrave të aplikimit, si dhe të gjithë atyre qytetarëve që kanë aplikuar deri në datën 20 maj, të paraqiten për tërheqjen e letërnjoftimit”, - thekson ministria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›