Tërhiqet PS, dështon bllokimi i numërimit të votave
KQZ-ja mundi dje të dështojë përpjekjen e PS-së, për të bllokuar procesin e numërimit të votave. Kjo, për faktin se pavarësisht tërheqjes së PS-së nga GNV, bëhen zëvendësimet e të larguarve dhe procesi ecën normalisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje udhëzimin që përcakton mënyrën dhe funksionimin e Grupeve të Numërimit të Votave, duke rrëzuar tentativat e Partisë Socialiste për të bllokuar procesin. Në unanimitet të plotë, me 6 vota pro (një anëtar mungonte), KQZ miratoi këtë udhëzim, duke përcaktuar qartë se në asnjë mënyrë apo shkak, numërimi i votave nuk ka për t’u ndalur. Konkretisht PS-ja kërkonte që në rast të një bojkoti të ndonjë anëtari të grupit të numërimit të votave, procesi të mos vazhdonte më tej. Sipas juristëve të PS-së në komision, në rast se procesi bojkotohet nga sekretari i Grupit të Numërimit të Votave apo nga anëtari i parë, që i përkasin njëri PS dhe tjetri PD, numërimi i votave të mos vazhdojë. Por në udhëzimin e djeshëm, KQZ miratoi se në rast bojkoti nga anëtarët, do të ketë zëvendësim me një tjetër anëtar të së njëjtës forcë politike brenda koalicionit. Sipas po të njëjtit udhëzim, në rast bojkoti, bëhet ndërrimi i anëtarit dhe ndalimi i numërimi të votave nuk duhet të pezullohet më shumë se 15 minuta. Grupet e Numërimi të Votave kanë nga 4 anëtarë, ku dy i përkasin PD dhe PS, ndërsa dy të tjerë ndahen me short mes partive të majta dhe të djathta të vogla.
“Në qoftë se pas procesit të numërimit të votave, numëruesi apo sekretari i Grupit të Numërimit, për arsye të ndryshme kërkon të largohet nga GNV-ja, atëherë ai zëvendësohet menjëherë me anëtarin e grupit të numërimit rezervë të së njëjtës forcë politike. Në këtë rast, procesi i numërimit ndërpritet jo më shumë se 15 minuta”, - thuhet në këtë udhëzim, i cili në dy pikat e mëtejshme shkruan se edhe në rast të largimit të anëtarit rezervë, punën e kryejnë anëtarët e mbetur. Arritjen e këtij konsensusi, i cili do të bëjë të mundur që procesi i numërimit të votave, më delikati i zgjedhjeve, të mos bllokohet, u cilësua nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani, si tërheqja e PS-së. Më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke folur për të njëjtin udhëzim, përcaktoi se teknologjia e kamerave dhe monitorëve do të jetë pjesë e transparencës, por në rast defekti, përsëri procesi i numërimit të votave nuk mund të ndalet. “Në rast se teknologjia mbështetëse nuk funksionon dhe GNV mbetet me dy anëtarë, por ndërkohë kutia e votimit është e hapur dhe ka filluar numërimi, mbyllet procesi i numërimit të kësaj kutie në gjendjen që është dhe nis numërimi i kutisë tjetër derisa të rregullohet teknologjia mbështetëse ose të plotësohen GNV-të. Kjo është për raste përjashtimore dhe vetëm për situata jonormale”, - deklaroi kryetari Ristani.
Zgjedhjet, shtohen vëzhguesit ndërkombëtarë
Një delegacion prej katër anëtarësh nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i drejtuar nga Korien Xhonker nga Holanda, do të kryejë një mision parazgjedhor në Tiranë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky delegacion do të takohet me Kryeministrin Berisha, kryetaren e Parlamentit Topalli, ministrin e Jashtëm, Basha, ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani dhe krerët e partive politike që marrin pjesë në zgjedhje. Misioni vëzhgues ndërkombëtar për zgjedhjet e 28 qershorit ka shprehur dje vendosmërinë për të monitoruar procesin e këtyre zgjedhjeve. Në një deklaratë për shtyp lëshuar nga zyra e këtij misioni në Varshavë, drejtori i kësaj zyre, ambasadori Janez Lenarcic, dhe zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, shprehet se misioni i OSBE/ODIHR-it do monitorojë të gjithë procesin zgjedhor. Në një deklaratë të përbashkët përcaktohen se konkluzionet dhe vlerësimet e zgjedhjeve do të publikohet nga OSBE dhe ODHIR një ditë pas zgjedhjeve, më 29 qershor, ndërsa raporti final për këto zgjedhje do të bëhet publik disa javë pas votimeve të 28 qershorit. Po në këtë deklaratë, theksohet se për të forcuar demokracinë në Shqipëri dhe integrimin e mëtejshëm të vendit në strukturat euroatlantike, bashkëpunimi dhe partneriteti mes ODIHR-it dhe OSBE-së, si dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, do të jetë thelbësor për vlerësimin objektiv dhe të faktuar të zgjedhjeve. Austriaku Grosruk është caktuar nga kryesia e OSBE-së si koordinator special i ekipit të përkohshëm të vëzhguesve të OSBE-së në Shqipëri.
Mediat vizive, jo të balancuara në fushatë
Bordi i Monitorimit të Medias paraqiti dje raportin e monitorimit të medias vizive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku në një periudhë 5-ditore është vënë re se mediat nuk janë të balancuar. Në raportin e plotë e dorëzuar në KQZ, anëtarët e bordit evidentuan të gjithë kohën televizive të matur për të gjitha mediat vizive në Shqipëri, nga ku shihej se koha televizive ndaj partive politike nuk ishte e balancuar. Kryetari i Bordit, Basir Çollaku, tha se është evidentuar një mosbalancim në mediat elektronike, si dhe tha para anëtarëve të KQZ-së se “ky bord u ka dërguar një vërejtje të gjitha mediave që kanë thyer ligjin zgjedhor”. Anëtarët e KQZ-së kërkuan nga bordi të propozojnë masa konkrete për të penalizuar mediat që shkelin ligjin.