Meta: KE të monitorojë bërjen e reformave në Shqipëri
Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ilir Meta, i kërkoi dje drejtorit për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, që KE të monitorojë procesin e reformës zgjedhore. Meta pati një takim me drejtorin për Ballkanin në Komisionin Evropian. Gjatë këtij takimi, Meta vlerësoi vërejtjet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, sidomos në drejtim të rritjeve të kapaciteteve institucionale të Parlamentit për hartimin e ligjeve në përputhje me standardet e BE-së, janë tepër aktuale dhe kërkohet një vullnet politik nga mazhoranca për t’i plotësuar ato. Meta ka shprehur shqetësimin për ecurinë e reformës zgjedhore, si reforma më e rëndësishme që do ta afrojë Shqipërinë me BE-në. Kjo reformë po shtyhet në kufijtë e së pamundurës, dhe po zhvillohet në një proces jotransparent. Edhe realizimi i projektit të kartave të identitetit rrezikon të mos përfundojë në kohë, gjë që do të sjellë të njëjtat probleme me identifikimin e shtetasve që kanë pasur zgjedhjet e kaluara. Meta kërkoi një monitorim më nga afër nga BE-ja të reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Ai gjithashtu vlerësoi gatishmërinë e BE-së, për të ecur drejt liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Dy ditë më parë, Mirel pati një takim edhe me Kryeministrin Berisha dhe me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, ku vlerësoi progresin e bërë nga Tirana zyrtare në drejtim të reformave dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të mëtejshëm në këtë drejtim për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE. Z. Mirel shprehu vlerësimet e tij maksimale për këtë raport, si dhe vullnetin politik, për të mbështetur me të gjitha mjetet procesin e liberalizimit të vizave.