E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatori, muaji vendimtar për bazën e PS-së



Partia e re po krijon strukturat, duke marrë njerëz nga PS-ja

Të pakënaqurit me Ramën pritet të largohen nga partia

Krijimi i një partie të re brenda së majtës, e cila rrjedh nga Partia Socialiste, ka krijuar një situatë të re në bazë, që është më e ndjeshme ndaj zhvillimeve në qendër sesa vetë protagonistët e këtyre ngjarjeve. Deklarimi i drejtuesve të Partisë Socialiste të Re se brenda muajit shtator do të përfundojë procesi i shndërrimit të lëvizjes në një parti, ka sjellë reagimin e anëtarësisë, kryesisht anëtarë të strukturave kryesore të selisë rozë në degë e rrethe, të cilët mund të kryejnë lëvizjet e fundit politike për t’u pozicionuar përfundimisht para hyrjes në muajt e ethshëm zgjedhor. Të pakënaqurit, nostalgjikët e ish-kryetarit të selisë rozë, të përjashtuarit apo të mënjanuarit qëllimshëm nga drejtimi, pritet që brenda këtij muaji të hedhin hapat e tyre konkretë, për të ngritur zërin kundër mënyrës së drejtimit të Partisë Socialiste nga ana e Edi Ramës. Duket se loja ka filluar me qytetin e Fierit, një nga degët më të mëdha të Partisë Socialiste, ku 40 anëtarë ia thanë publikisht Edi Ramës atë që mendojnë. Të tilla lëvizje pritet që të turbullojnë ujërat në bazën e heshtur prej më se dy vitesh, për të sjellë më tej lëvizje të vrullshme, që do të shqetësojnë qendrën. Ndaj rastit të Fierit, selia rozë nuk dha dje asnjë sqarim publik sikundër duke u munduar që të paktën në sy të publikut ngjarjen ta kalojë në heshtje. Tanimë, pas garës me LSI-në për t’i marrë më shumë anëtarë njëra-tjetrës, çështja duket më serioze. Nëse me partinë e re përsëritet rrjedhja e anëtarësisë si me partinë e Metës, elektorati përçahet dhe konfliktohet më tej, çka mund t’i sjellë vetëm dëme selisë rozë. Pa u shqetësuar shumë për qëndrimin e heshtur të PS-së, lëvizja po vazhdon procesin e kthimit në një parti politike. Drejtuesi i saj, Petro Koçi, është shprehur se drejtuesit janë duke punuar për përfundimin e ngritjes së Komitetit të Përgjithshëm Organizator dhe të komiteteve përkatëse në rang qarku dhe rrethi. “Rithemelimi i PS-së nëpërmjet shndërrimit të lëvizjes institucionale në subjekt politik dhe elektoral përbën një proces të domosdoshëm për garantimin e përfaqësimit të socialistëve të vërtetë në zhvillimet e ardhshme politike. Tashmë që e djathta komandon lidershipin e PS-së ish-socialiste, e majta duhet të shpejtojë ecjen në rrugën e riformatimit dhe reformimit. “Shndërrimi i lëvizjes në Parti Socialiste do të përfundojë brenda shtatorit, pavarësisht se oligarkia që sundon vendin do të bëjë shumë përpjekje që ta pengojë këtë projekt politik. Veprimi ynë bazohet në 2 kolona, vendosmëri dhe dhembshuri”, - është shprehur Petro Koçi pak ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›