PDR prezanton kandidaturat e Kukësit
24/05/2005 Kryetari i PDR, Genc Pollo, ka zhvilluar dje një takim me elektoratin e Kukësit, ku ka prezantuar kandidaturat e partisë së tij. Në sallën e Pallatit të Kulturës të qytetit u prezantuan Osman Shehu dhe kreu i PDR lokale, Astrit Haziri, si konkurrentët e reformatorëve. Pollo apeloi që të votohen këta kandidatë përmes votës së subjektit PDR dhe që të votohen kandidatët e unifikuar të opozitës në maxhoritar. Në takim mori pjesë edhe Jemin Gjana, kandidat i koalicionit në maxhoritar, i cili bëri thirrje që të përkrahen aleatët në proporcional. Pollo tha në këtë takim se në 4 vitet e ardhshme arteri rrugor, që lidh qendrën e Shqipërisë me Kukësin e Kosovën, do të ishte prioritet i madh shtetëror dhe jo viktimë e marifeteve buxhetore. Pollo, në fjalën e tij, i kushtoi vëmendje gjendjes së disa rrugëve që lidhin Verilindjen e Shqipërisë me Kosovën. Ai tha se, “ne flasim për integrim evropian të Shqipërisë e për statusin evropian të Kosovës. Por, si mund të realizohet shkëmbimi ndërkufitar, ky koncept i dashur për BE-në, kur rrugës Durrës–Morinë i vihet emri i një Presidenti të Amerikës dhe lihet në gjendjen e Botës së Tretë. Si mund të integrohen ekonomiksht Hasi e Tropoja në tregun e Gjakovës, kur rrugët në anën tonë janë zero, ndërsa në anën matanë janë të porsandërtuara. Vetëm 5% e fondit të devijuar nga taksa Majko do të mjaftonte për të kryer të gjitha këto punime".