E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mediu: Po kërkohet manipulimi i votave

06/02/2005  Republikani lëshon kritikat mbi reformën elektorale prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere në Shqipëri dhe rreziku i manipulimit të tyre nga administrata aktuale, ka qenë tema e bisedimeve të kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, me përfaqësues të Institutit Willson në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Mediut, pavarësisht presionit ndërkombëtar për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve, "administrata e tanishme ka demonstruar një dëshirë të fortë për të manipuluar zgjedhjet". Gjatë fjalës së tij, Mediu ka cilësuar se "Shqipëria është i vetmi vend i Evropës Juglindore që, sipas institucioneve ndërkombëtare, nuk mban zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vende që kanë përjetuar konflikte të hapura si Maqedonia, apo statusi i të cilave është akoma i pavendosur, si Kosova kanë kaluar këtë test". Ndërkohë, kreu i republikanëve ka shtuar se "Shqipëria gjithmonë është kritikuar nga ODHIR dhe OSBE, Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, dhe Departamenti Shtetit për dështimet joteknike dhe kanë bërë të qartë se mospërmbushja e kritereve për zgjedhje të lira dhe të drejta do t'i kushtojë shtrenjtë Shqipërisë dhe aspiratave të saj për integrim. Situata mbetet serioze dhe sot e kësaj dite, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve qeveria nuk pranon propozimet e OSBE-së mbi ndarjet e zonave". Mediu ka sulmuar dhe qeverinë ku, sipas tij, "ajo e ka kthyer korrupsionin në vlerë morale të qeverisjes. Megjithatë, askush nuk ka humbur postin apo imunitetet për shkak të korrupsionit, apo lidhjeve me trafiqet e paligjshme". Korrupioni, sipas Mediut, ka arritur në atë pikë sa është dhunuar haptazi dhe Kushtetuta e vendit. Sipas kryerepublikanit, "neni 73, paragrafi 1, i Kushtetutës parasheh se me kërkesë të 35 anëtarëve të Kuvendit themelohet një Komision parlamentar, por socialistët nuk lejuan themelimin e një komisioni për të hetuar Kryeministrin Fatos Nano në lidhje me disa skandale dhe raste të dukshme korrupsioni", tha Mediu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›