E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu akuzon Ina Ramën si tendencioze në akuzat ndaj tij

Ish ministri i mbrojtjes, krenar për punën e bërë
Menjëherë pas akuzës së Prokurores së Përgjithshme për tragjedinë e Gërdecit ka reaguar dje në fjalinë e tij në kuvend i akuzuari, ish-ministër i Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke e shpallur veten të pafajshëm se lidhur me këtë ngjarje nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore.  Ky akt i organit të akuzës nuk ishte një akt i papritur për mua, sepse veprimet e ndërmarra nga ky institucion që nga kërkesa për heqjen e imunitetit ishin tendencioze,- u shpreh Mediu. Ai tha se për këtë ngjarje, si ministër vendosi të japë dorëheqjen si reflektim i veprimeve të tija politike dhe morale. Sipas tij, Prokuroria nxitoi të deklaronte publikisht se ministri ka shmangur forcat e armatosura. Ky deklarim shihte diçka tjetër në vetvete,- u shpreh Mediu. Krijimin dhe përshtypjen se pas kësaj, nënvizoi ai, fshihej interesi i tij privat dhe arrihej deri aty sa çdo proces që nga zgjedhja e firmës, teknologjia, transporti, mënyra për çdemontimin, rregullat e sigurisë  ti kishte kryer ministri me një grup njerëzish të tij. Ai theksoi se kam vlerësuar çdo sakrificë të njerëzve me uniformë dhe asnjëherë nuk i kam parë ata se kujt partie i përkasin. Por kam parë dhe vlerësuar mënyrën se si i kanë realizuar detyrimet për të pasur një forcë të armatosur të standardeve të NATO-s. Jam krenar me njerëzit që kam punuar. Më pas, Mediu u ndal tek akuza tjetër e Prokurorisë duke thënë se tashmë ka bashkëpunuar me ushtarakët në Ministrinë e Mbrojtjes. Po kam bashkëpunuar,- pohoi ai. Pasi kjo, sipas Mediut  ka qenë thjesht detyrimi i tij ligjor. Së bashku me forcat e armatosura kemi bashkëpunuar me bindjen se municioni i tepërt ishte dhe është një rrezik për Shqipërinë dhe me këtë përpjekje për çrrënjimin e këtij municioni kanë rënë ushtarakë të nderuar apo të Ministrisë së Mbrojtjes,- u shpreh Mediu.  Ai pohoi se ky proces ishte dhe është pjesë e detyrimeve ligjore dhe angazhim për anëtarësimin në NATO, i cili do të bëhet në më pak se dy muaj.  Sipas Mediut, situata e municionit është një alarm dhe kjo përgjegjësi nuk mund ti lihet vetëm Ministrisë së Mbrojtjes. Ai u shpreh se Gërdeci ishte një tragjedi, por të tjera ato që kanë ndodhur para kësaj si Qaf-Shtama, Korça, Gramshi etj, dhe së fundi tragjedia në Poliçan. Këto që po i them, u shpreh Mediu i kam thënë edhe përpara tragjedisë së Gërdecit. Prokuroria më akuzoi në fillim që e kisha bërë gjithçka për interesat e mia personale dhe interesit tim me Delijorgjin. Ish-ministri Mediu pohoi se kam deklaruar se po të ndodhte e kundërta do të merrja përsipër të gjitha përgjegjësitë. Ai u ndal tek akuza tjetër e radhës e Prokurorisë se ka stimuluar një kompani shqiptare, tani ka stimuluar një kompani amerikane, e cila ka bërë kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe i ka shkaktuar shtetit një dëm se nuk ka paguar tatimet, rreth 4 mijë e 425 dollarë dhe për këtë ka përgjegjësi Ministria e Mbrojtjes.Deri më sot kam pasur vetëm një qëllim, dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatë,- u shpreh Mediu. Sipas tij, Prokuroria kërkon të lajë duart për të çuar më shumë se 20 veta të asaj ministrie në dyert e Gjykatës. Me vendosmëri për të zbardhur të vërtetën e këtij aksidenti tragjik dhe të padëshiruar nga askush, vijoi Mediu, unë deklarova që kemi bërë çdemontimin në zbatim të marrëveshjes së asocim-stabilizimit, e cila kërkon që deri në 2010 të bëhet shkatërrim i  municionit të tepërt. Sipas tij, Prokuroria e akuzon se nuk ka zbatuar marrëveshjen e asocim-stabilizimit. Kërkova të pyetesha nga Prokuroria e Përgjithshme, madje çështjen e kam kërkuar me shkrim Prokurores drejtpërdrejt për të zbardhur të vërtetën dhe gjykimin tim, por asnjëherë nuk morra përgjigje, sepse akoma nuk u kishte ardhur urdhri,- u shpreh Mediu.

Email This Klikime: 17

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›