Neranxi: AKKP, institucion publik, mashtrues dhe sorrollatës
Prishja e ndërtimeve pa leje në bregdetin shqiptar, ka qenë një ndër çështjet më të nxehta që është debatuar në kuvendin shqiptar seancën e djeshme. Çështje kjo që ka ngjallur debate midis pjesëtarëve të qeverisë dhe opozitës. Prishja e ndërtimeve në Jal, të Himarës është e lidhur ngushtë edhe me AKKP, kjo sipas deputetit të LSI, Nikollaq Neranxi i cili e ka kritikuar ashpër ditën e djeshme AKKP duke e lidhur ngushtë me qeverinë, ku funksionarë të saj do të japin shumë shpejt llogari për vjedhjen e tokave të trashëguara në çdo cep të Shqipërisë.
Korrupsioni më i madh në Shqipëri, thekson deputeti i LSI, është i lidhur me tokat dhe pronat e pamarra prej pronarëve, pasojë kjo e ndërrimit të drejtuesve çdo gjashtë muaj, por që do të Agjensia Kombëtare e Kthim Kompensimit të Pronave është kthyer në një institucion publik mashtrues dhe sorollatës. Qytetarët pronarë në këtë vend, po skllavërohen prej pritjes dhe mashtrimit të administratës së kthimit të pronave. Imazhi i administratës së qeverisë Berisha brenda dhe jashtë vendit, sipas Neranxit, do të cenohet nga zbulimi i përgjegjësisë së personave të palës shqiptare në lidhje me projektin e Bankës Botërore, ku titullarët e kësaj të fundit kanë iniciuar tashmë një hetim të posaçëm. Në emër të qytetarit të Himarës, deputeti i LSI, Neranxi ka ngritur zërin dy vjet më parë për aferën, që sipas tij po gatuhej me tokat e bregdetit të Himarës. Unë kam denoncuar publikisht së pari kryebashkiakun e Himarës Vasil Bollano, si person të implikuar në këtë aferë, duke vënë në dispozicion funksionin e tij si i zgjedhur lokal, dhe natyrisht edhe duke përfituar mbështetje politike për bëmat e tij. Ky njeri i korruptuar nga koka tek këmbët, bënte prishje ndërtesash selektive. Unë jam shprehur me këmbëngulje se me tokat e Himarës po bëhet mashtrim, vjedhje, përvetësim, manipulim, falsifikim. Sot këta latifondistë kanë ecur më përpara, pasi tokat e vjedhura kanë filluar edhe t'i shesin, e kam fjalën për tokat e Jalës dhe të Porto Palermos. Prishjen e ndërtimeve pa leje në Jal, deputeti Neranxi e ka cilësuar një akt barbar që ka tronditur gjithë opinionin. Goditjet e fadromave qeveritare mbi shtëpitë deri edhe 200 vjeçare të bashkëpatriotëve të mi, tmerruan jo vetëm banorët e dëmtuar, por çdo qytetarë të këtij vendi. Ai sulm ishte një akt babëzie dhe dëshmon se deri ku mund të shkojë pashpirtësia e personave që duan të gllabërojnë pronën e tjetrit për tu pasuruar për vete. Ndër të tjera, deputeti Nernaxi, ka ngritur zërin duke ridenoncuar para deputetëve të pranishëm në sallën e kuvendit faktin se tokat në këtë zonë sipas tij po vidhen shtetërisht.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1