E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët akuzojnë qeverinë si qeveria e të pandehurve

Balla: Qeveria Berisha edhe 136 ditë jetë
Deputeti socialist Taulant Balla ka akuzuar kryeministrin Sali Berishën si dhe ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu si të pandehurit politik dhe moral të tragjedisë së Gërdecit. Këto deklarata deputeti socialist i ka bërë gjatë seancës së djeshme parlamentare duke u  bazuar më konkretisht tek akuzat që rëndojnë për Mediun, i cili ditën e mërkurë është thirrur nga Prokuroria si i pandehur për këtë krim të rëndë. Qeveria u thirr zyrtarisht e pandehur. Është thirrur e pandehur e gjithë Qeveria aktuale. Ish-ministri i mbrojtjes drejtpërsëdrejti, dhe Sali Berisha moralisht janë zyrtarisht të pandehurit e krimit shtetëror të Gërdecit, është shprehur Balla. Gjatë akuzave të ashpra që ka bërë në emër të qeverisë Berisha, deputeti socialist është ndalur tek vet kryeministri, i cili sipas tij po turpëron Shqipërinë përpara opinionit ndërkombëtar duke sjellë shembullin e gazetës prestigjoze New York Times, e cila ka shfaqur lajmin që ka shëtitur në mbarë botën, se qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri ishin pjesë e një trafiku ndërkombëtar armësh. Një tjetër denoncim i bërë nga opozita dhe që tashmë nuk është më i gënjeshtërt,- sipas Ballës,- ka të bëjë me akuzën për vjedhje të ngritur për Lulzim Bashën dhe kryeministrin. Duke iu drejtuar deputetëve pjesëmarrës në seancë, deputeti socialist ka theksuar se, Ne ju thamë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë vjedhur 230 milionë euro. Dhe kështu doli se Luli është nën akuzë sepse shqiptarëve i janë vjedhur 230 milionë euro, është shprehur Balla. Një tjetër çështje tepër e përfolur kohët e fundit në politikën shqiptare ka qenë edhe prishja e ndërtimeve pa leje në bregdetin shqiptare, ku opozita sërish akuzon kryeministrin dhe familjarët e tij, për përvetësim të këtij bregdeti. Ne drejtuam gishtin tek Sali Berisha se ai dhe familjarë të tij po përvetësojnë dhe shesin bregdetin shqiptar. Dhe kështu doli Paneli i Investigimit të Bankës Botërore dhe mediat amerikane denoncuan dhëndrin e Sali Berishës dhe vetë Sali Berishën për shpërdorime në projektin e studimit "Për bregdetin jugor të Shqipërisë, ka vijuar ai. Deputeti Balla nuk ka lënë pa përmendur në akuzat e tij ngritur kryeministrit as serbin Fazlliç, që sipas tij ishte në dijeni të të gjitha sekreteve e sigurisë kombëtare të vendit tonë. Ju kërkuam të distancoheni nga miku serb i Kryeministrit, sepse ai ishte i lidhur me rrjete të fëlliqura mafioze dhe antishqiptare në Serbi dhe në Bosnje, por ju e mbrojtët. Por, më pas të gjithë shqiptarët mësuan se Fazllici na kishte shitur energjinë, na kishte blerë Porto Romanon, madje na kishte marrë vesh edhe sekretet e sigurisë tonë kombëtare, ka theksuar Balla. Gjithashtu, deputeti socialist i është drejtuar qeverisë aktuale e cila me skandalet e saj po turpëron çdo ditë Shqipërinë dhe në lidhje me zgjedhjet e 28 Qershorit, Balla ka theksuar se kësaj qeverie i kanë mbetur edhe 136 ditë, dhe se fundi i tunelit është shumë afër. Kanë qenë këto akuza të ngritura ditën e djeshme nga deputeti Balla në emër të qeverisë dhe kryeministrit të vendit, të cilat më parë janë denoncuar nga opozita dhe se tashmë janë të vërteta. Duke folur në emër të partisë që ai përfaqëson është shprehur se, ne, deputetët e Partisë Socialiste kemi denoncuar raste dhe afera të pastra korrupsioni në qendër të të cilave, në shumicën e rasteve, është Kryeministri me familjarët dhe ministrat e tij, Deputetë të partisë demokratike apo ndonjë zëdhënës i keqpërdorur ka dalë me vrap për të thënë: Se denoncimet dhe deklaratat tona janë gënjeshtra dhe të pavërteta. Por, siç ka rezultuar dhe do të rezultojë edhe më çështje të tjera, ne kemi patur gjithmonë të drejtë, sepse për rastet e denoncuara qoftë institucionet e së drejtës në vend, qoftë struktura ndërkombëtare të hetimi, por edhe media ndërkombëtare kanë zbuluar lidhjet e drejtpërdrejta të korrupsionit me Sali Berishën ka theksuar Balla.

Email This Klikime: 5

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›