Mediu bën "mbrojtjen" para këshillit
Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve do të mblidhet sot në orën 17:00. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Kuvendit, të cilët deklarojnë se me kthimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në Shqipëri, pas vizitës së saj njëjavore në Bruksel dhe pas seancës parlamentare, anëtarët e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve do të mblidhen për të dëgjuar deputetin Fatmir Mediu, përpara se të vendosin për heqjen ose jo të imunitetit të tij. Kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu nga Prokuroria e Përgjithshme ka mbërritur në Kuvend që me 30 prill dhe një ditë më pas, kryeparlamentarja mblodhi Këshillin e Imuniteteve për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë dhe për të vendosur nëse do t‘ia heqin imunitetin deputetit republikan. Por, anëtari i këtij këshilli, Arian Madhi, kërkoi më shumë dokumente nga organi i akuzës dhe pas gati dhjetë ditësh, Prokuroria e Përgjithshme i vuri Kuvendit në dispozicion një dosje voluminoze prej rreth 700 faqesh. Pas mbërritjes së kësaj dosjeje, më 13 maj, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura, pasi dosja u konsiderua sekret. Por, anëtarët e këshillit dolën të zhgënjyer, sepse, sipas tyre, dosja nuk përmbante asgjë sekrete dhe s‘kishte asgjë konkrete për të vërtetuar akuzat ndaj Mediut. Pas kësaj mbledhjeje, në bazë të rregullores së Kuvendit dhe konkretisht nenit 118 të saj, pritej mbledhja sërish e këtij këshilli, por këtë herë duhej të paraqitej deputeti Mediu për të bërë mbrojtjen e tij para anëtarëve të këshillit. Të nesërmen e mbërritjes së raportit, deputeti Mediu niset për në SHBA, ku qëndroi atje gati një javë dhe mbledhja u shty. Ndërkaq, ditën e kthimit të Mediut në Tiranë, largohet për një vizitë punë njëjavore në Bruksel dhe Strasburg, kryetarja e Këshillit të Rregullores, përkatësisht, kryeparlamentarja Topalli. Realisht kjo ishte shtyrja e dytë e mbledhjes. Para dy ditësh, Kryetarja e Kuvendit është kthyer në Tiranë dhe ka vendosur që mbledhja e këshillit të zhvillohet sot pasdite. Në këtë mbledhje, Mediu do të japë dëshminë e tij, nëse është dakord ose jo me akuzat e ngritura nga Prokuroria dhe gjithashtu me lënien ose jo të imunitetit të tij. Më pas, këshilli e kalon këtë raport në Kuvend, i cili me votë të fshehtë voton për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit të PR-së.